Delawie kërkon front të përbashkët kundër korrupsionit

Greg Delawie

Luftimi i korrupsionit paraqet sfidë për secilën qeveri, përfshi edhe atë të Kosovës, ka deklaruar të hënën në Prishtinë ambasadori amerikan, Greg Delawie.

Këto komente, ai i ka bërë në hapjen e seminarit “Aspektet Ligjore të luftës kundër korrupsionit”.

Ambasadori amerikan ka deklaruar se luftimi i korrupsionit është problem për të gjithë dhe se një program i rreptë kundër kësaj dukurie negative do të ishte një lehtësim në identifikimin e veprave të korrupsionit.

“Luftimi i Korrupsionit është sfidë për çdo Qeveri, shpresojmë që trajnimi i sotshëm do ta ndihmojë Kosovën në këtë përpjekje të vështirë, por të domosdoshme. Një program i rreptë kundër korrupsionit krijon mjedisin e tillë ku veprat e korrupsionit identifikohen lehtësisht dhe pastaj ndiqen lehtësisht penalisht”, ka thënë Delawie.

Ambasadori amerikan ka deklaruar se korrupsioni ka një çmim të lartë për shoqërinë dhe shtetin.

Andaj, ai është zotuar se ndër prioritet e tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, do të jetë edhe angazhimi i përbashkët për të luftuar korrupsionin.

"Kostoja e të qenit i korruptuar do të jetë shumë e lartë. Ky seminar trajton mënyrat se si ju dhe zyrat e juaja mund të ndryshoni gjendjen", ka thënë Delawie.

Ai ka ftuar pjesëmarrësit në këtë seminar, kryesisht nga institucionet dhe organet kompetente për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që të hulumtojnë mënyrat më të mira për luftimin e këtyre dukurive negative përmes aspektit ligjor.

"Përpjekjet kundër korrupsionin janë nga prioritetet e mia kryesore; duke punuar së bashku duhet të sigurojmë që Kosova ka masat ligjore zbatuese të cilat përmbushin standardet më të lartë të Ambasadës Amerikane”, ka thënë ambasadori Delawie.

Seminari i ka vazhduar punimet pa praninë e mediave, ndërkaq pritjet u tha se janë që përmes këtyre organizimeve të hulumtohen mënyrat më të mira dhe më efikase për të luftuar këto dukuri.

Shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar janë potencuar në raportet e progresit të Komisionit Evropian si edhe në raportet hulumtuese të organizatave tjera ndërkombëtare si një prej problemeve më të mëdha të zhvillimit të shtetit të Kosovës.

Vetë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila drejton Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, pati deklaruar se Kosova ende nuk e ka fituar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.