Kelmendi: Kosovës i duhet ligj për mbrojtjen e fëmijëve

Donjeta Kelmendi, KOMF

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, thekson nevojën e miratimit të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke shtuar se shkeljet më të rënda që iu bëhen fëmijëve në Kosovë, janë dhuna fizike, trafikimi, si dhe shfrytëzimi.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Kelmendi, pse Kosova ende nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve? Ku është problem?

Donjeta Kelmendi: Deri tash mbrojta e fëmijëve ka qenë e rregulluar me ligje të ndryshme, nuk ka qenë ndonjë problem dhe fëmijët kanë qenë të mbrojtur me ligje të tjera specifike në fusha të ndryshme. Dy ligje kryesore që janë kryesisht për mbrojtjen e fëmijëve, të cilët kanë nevojë për mbrojtje institucionale, janë Ligji për familjen dhe Ligji për shërbime sociale dhe familjare, ku kryesisht përmes këtyre dy ligjeve iu është ofruar ndihmë fëmijëve.

Por, këtu ka përjashtim. Ka edhe ligje të tjera që janë specifike për mbrojtjen e fëmijëve në fusha të ndryshme. Tani është parë e nevojshme që të ketë një ligj të veçantë për mbrojtjen e fëmijëve.

Miratimi i ligjit për mbrojtjen e fëmijëve po synohet të rrisë bashkëpunimin dhe koordinimin, si dhe llogaridhënien ndërmjet institucioneve në nivel qendror dhe lokal, si dhe në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, të cilat punojnë për mbrojtjen e fëmijëve.

Në bazë të analizave të bëra, si dhe raporteve ndërkombëtare, në Kosovë nuk ka një sistem të integruar të mbrojtjes së fëmijëve, prandaj përmes këtij projektligji, po parashihet që të integrohet sistemi i mbrojtjes së fëmijëve. Prandaj ka qenë i nevojshëm ky ligj.

Radio Evropa e Lirë: Çka saktësisht do të duhet të përmbante ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve?

Donjeta Kelmendi: Ligji, fillimisht, duhet t’i mbrojë fëmijët nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, pastaj lënies pas dore apo ndonjë forme tjetër, e që vë në rrezik jetën e tyre, sigurinë shëndetin, arsimin apo zhvillimin e fëmijës.

Gjithashtu, duhet të theksoj në mënyrë më të veçantë përgjegjësitë e prindërve, shoqërisë dhe shtetit për mbrojtjen dhe kujdesin e fëmijëve, edhe pse po e theksoj që kjo është e prekur me ligjet tjera.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë shkeljet më të rënda që u bëhen fëmijëve në Kosovë?

Donjeta Kelmendi: Ne gjithmonë i përmendin rastet më të rënda të shkeljes së të drejtave të fëmijëve, e që më pas kalojnë në vepra penale ku edhe ky ligj parasheh një fokus të veçantë t’iu japë mbrojtje fëmijëve si ata me aftësi të kufizuara, viktimave të dhunës, viktima të trafikimit, viktimave të shfrytëzimit, fëmijët e lënë pas dore, pa përkujdes prindëror, fëmijët nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian, pra fëmijët që janë më të cenueshëm dhe kanë nevojë për përkujdesje institucionale.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Kelmendi, ju si Koalicion i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KMOF), sa keni bashkëpunim me institucionet e Kosovës?

Donjeta Kelmendi: Ne, si koalicion, kemi bashkëpunim të mirë me institucionet e Kosovës, por që ajo çka në vazhdimësi theksohet është që mungon një bashkëpunim i mirë me organizatat që merren me mbrojtjen e fëmijëve.

Këtu po flasim për nivelin komunal, pasi që kryesisht në nivel komunal ofrohen shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve. Dhe, ky projektligj në disa prej dispozitave të tij rregullon shumë mirë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve në nivel lokal, monitorimin dhe po ashtu llogaridhënien.