Tre anesteziologë braktisin sektorin publik

Ilustrim

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si dhe të gjitha spitalet rajonale të Kosovës, kanë mungesë të anesteziologëve.

Përkundër kësaj mungese të madhe, shumë nga ta po e lëshojnë punën në sektorin publik, për të vazhduar në spitale private. Vetëm gjatë muajit të kaluar, tre anesteziologë kanë ikur nga sektori publik.

Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë, thekson se kushtet më të mira, shtyejnë punëtorët mjekësorë të ikin nga QKUK-ja.

"Është fenomen mjaft i theksuar në Klinikën e Anestezionit me reanimacion, që anesteziologët të ikin. Çdo ditë po hapen spitale të reja dhe po krijohen kushte më të mira për punë, sigurisht edhe paga më të dinjitetshme".

"Tre anesteziologë tashmë kanë lëshuar punën vetëm për një muaj për të vazhduar në spitale private. Çdo vit lëshojnë punën deri në 6 anesteziologë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës", tha Baftiu.

Ndryshe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë 40 anesteziolgë për 32 salla operative. Sipas zotit Baftiu, numri i vogël i anesteziologëve po shkakton mjaft shumë telashe.

"Kemi kujdestari në shumë klinika nga anesteziologët, dhe brenda ditës i bjen të punojnë rreth 20 aneseziologë, e që ka shumë mungesë pasi kemi 32 salla. Gjthashtu anesteziologët nga QKUK-ja, kujdestarojnë edhe në spitalin e Mitrovicës".

Lulzim Emini, anesteziolog, i cili punon në Qendrën Klinike Universitare, ka folur për Radion Evropa e Lirë lidhur me kushtet që mbretërojnë në sektorin publik, në sferën e anesteziologjisë.

"Sa i përket kushteve të punës, jemi të pajisur me aparaturë sikurse edhe vendet perendimore, por ndoshta mungesa më e madhe është në disa anestetikë kohë pas kohe, derisa tash për tash jemi të furnizuar mirë".

"Por, ato që nuk janë të regjistruara në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale dhe kemi mungesë, po na vështirësojnë punën. E pacientët duhet vetë t'i blejnë, derisa këtu blehen në barnatore, e ne vëndet tjera është e ndaluar me ligj shitja e anestetikëve nëpër barnatore", tha Emini.

Ndërkaq, zoti Baftiu ka thënë se anesteziologët në sektorin publik paguhen rreth 600 euro në muaj, derisa sektori privat po ofron pagë mbi 3 mijë euro.

"Paga e anesteziologëve në spitale private, sa kam informata është 3 mijë euro, derisa në sektorin publik anesteziologët paguhen rreth 600 euro. Spitalet private po ju ofrojnë kushte më të mira dhe po na ikin nga sektori publik" tha Baftiu.

Zoti Emini thotë se anesteziologët në sektorin publik paguhen si gjithë mjekët tjerë, derisa siç thotë ai, puna e anesteziologëve është shumë intensive.

"Orari i punës në sektorin publik është i njejtë për të gjithë mjekët, mirëpo dallon orari i anesteziologëve dhe kirurgëve ose internistëve, apo lëmive tjera internistike, sepse anesteziologët e kanë punën intensive tërë kohën në sallë të operacionit".

"Ata nuk kanë mundësi të dalin jashtë sallës. E paga e njejtë me profilet e tjera shëndetësore i shtyen anesteziologët ta lëshojnë punën në QKUK".

"Në vendet evropiane dhe më gjerë, anesteziologët janë ndër profilet mjekësore me të paguara në botë. Kurse në Kosovë, anesteziologët janë profili më i ngarkuar dhe paguhet si të gjithë të tjerët. Nëse merret një raport i punës me mjekë të tjerë, shihet një diskrepancë e madhe mes punës së mjekëve", tha Emini.

Sidoqoftë, anesteziologët edhe veshjen e nevojshme për sallë të operacionit e blejnë vetë, në mungesë të sigurimit të tyre nga Ministria e Shëndetësisë.