A ka korrupsion në shëndetësi?

Ilustrim

Në një anketë të Radios Evropa e Lirë kemi marrë mendimet e qytetarëve se sa mendojnë ata se është i korruptuar sistemi shëndetësor.

Shumë nga të anketuarit thonë se shëndetësia është një ndër institucionet më të korruptuara.

“Korrupsioni është një veti e keqe që është përhapur në çdo sektor, por edhe në shëndetësi, pasi që është një prej sektorëve që qytetarët ballafaqohen çdo ditë dhe shihet më shumë. Ka mjekë që thonë hajde pas orës 16 apo mas orës 17 dhe normalisht edhe ky është një lloj korrupsioni”, thotë Besa Gashi, qytetare.

Në raporte të ndryshme, thuhet se shëndetësia ka qenë në mesin e gjashtë grupeve të institucioneve më të korruptuara ku hyjnë edhe KEK- u, gjykatat, doganat, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Posta.

Mendimin e tij për korrupsionin në sektorin e shëndetësisë e jep edhe

Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, tregon për ankesat e pranuara që flasin për raste korrupsioni në shëndetësi:

“Ne kemi ankesa për korrupsion në shëndetësi, por derisa ato nuk janë të përfunduara nga gjykata dhe nuk ka një vendim për to, ne nuk mund t’i publikojmë. E rëndësishme është se ankesa ka. Ankesat e tyre për korrupsion, qytetarët i dërgojnë edhe në Prokurori”.

Kodra tregon për Radion Evropa e Lirë një shembull për një rast korrupsioni në shëndetësi.

“Një pacient ka kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente në QKUK , derisa ka pasur nevojë për antishok. Por e njëjta nuk i është dhënë pacientit, ndonëse prej saj i është varur jeta. Ilaçi antishok, kushton 2.5 euro dhe merreni me mend për këtë shumë parash pacienti është rrezikuar të vdesë. Antishok ka pasur, por mjeku ka dashur t'i udhëzojë familjarët ta blejnë ilaçin në një nga barnatoret që mjeku ka pasur lidhje me ta", tregon ai.

Edhe Miranda Kastrati, mësuese me profesion, konsideron se mjekët janë të korruptuar:

“Mendoj që në shëndetësi ka korrupsion, pa dyshim. Kjo duke u nisur nga fakti që nëse kërkon shërbim cilësor, mjekët kërkojnë ryshfet. Gjithashtu, gjatë orarit të punës shpesh nuk i gjen mjekët dhe sugjerimi i tyre është që të të ftojnë në ordinancat e tyre private”.

Ngjashëm shprehet edhe Vlora Baftiu, ekonomiste me profesion:

“Korrupsion ka në gjithë Kosovën, sidomos në sektorin e shëndetësisë, dhe sipas të dhënave që unë i kam dëgjuar, ka dalë që shëndetësia është sektori më i korruptuar në gjithë Kosovën”.

E, zyrtarë të lartë institucionalë kanë deklaruar se korrupsioni në sektorin shëndetësor mund të jetë çështje jete a vdekje.

Adresimi i korrupsionit në sektorin shëndetësor është i domosdoshëm për të arritur rezultate të mira për statusin shëndetësor të popullatës.