Dallime të mëdha mes Asociacionit dhe Republika "Srpska"

Ilustrim

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, nuk ka elemente që mund ta krahasojnë me modelin e aplikuar në Bosnjë e Hercegovinë përmes Marrëveshjes së Dejtonit, thonë analistët politik.

Sipas tyre, marrëveshja e Brukselit për Asociacionin ka elemente etnike dhe krijon një entitet serb, për çka po shpreh shqetësime opozita në Prishtinë, por në thelb, thuhet se ajo dallon nga modeli i Bosnjës.

Për analistin e Grupit Ballkanik të Politikave, Naim Rashiti, shqetësimet e opozitës janë më shumë të natyrës politike.

"Asociacioni nuk ka asnjë element më tepër nga fushëveprimi i kompetencave komunale. Nuk ka asnjë element legjislativ, nuk ka asnjë element të zgjedhjes së drejtpërdrejtë, nuk ka asnjë element të sigurisë, pastaj të politikave fiskale, të cilat i ka Republika "Srpska" në Bosnje. Prandaj, besoj që marrëveshja e arritur në Bruksel ka ruajtur me sigurinë më të madhe unitetin e shtetit, kushtetutshmërinë e vendit dhe legjislacionit", ka thënë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Analisti Naim Rashiti thotë tutje se një nga qëllimet e këtij dialogu është eliminimi dhe integrimi i strukturave paralele serbe, çka sipas tij, nëse arrihet të bëhet me këtë Asociacion, do të ishte një përparim i madh.

Ndërkaq, ai sheh shumë ngecje në qëllimin tjetër të dialogut e që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi.

Në anën tjetër, analisti Belul Beqaj mendon se "bosnjëzimi", si argument që e përmend opozita për të kundërshtuar marrëveshjen, nuk paraqet krahasimin më të mirë.

Por, ai beson se ka një tjetër qëllim tek Asociacioni, që sipas tij, do të hetohet me kohë. Ai beson se Serbia dhe strukturat politike serbe që i mbështet në Kosovë nuk do të tregojnë vullnet politik për të funksionalizuar shtetin e Kosovës me këtë Asociacion.

"Janë dy çështje të cilat sipas mendimit tim janë vendimtare: E para -A është bërë çështja e ndërtimit të asociacionit për shkak se serbët dëshirojnë ta funksionalizojnë shtetin e Kosovës apo për ta detonizuar (bombë e kurdisur) shtetin e Kosovës? - Unë mendoj që është në pyetje kjo e dyta".

"Pastaj, mendoj që argumenti i qeverisë se me këtë po i heqin institucionet paralele nuk qëndron, pasi që po krijohet një entitet paralel në kuadër të sistemit të Kosovës i cili do të jetë nën kontrollin e plotë të Serbisë", ka theksuar Beqaj për Radion Evropa e Lirë.

Marrëveshja e fundit e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për Asociacionin, sipas Belul Beqajt, do të shihet se sa shumë do të jetë sfiduese vetëm atëherë kur të fillojë operacionalizimi dhe zbatimi i saj.

"Është një zgjidhje aktuale, por mendoj se në perspektivë do të dëshmojë se sa dobësi dhe pasoja të saj do t'i shohim jo shumë larg, atëherë kur të fillojnë të operacionalizohen çështjet që kanë të bëjnë me statutin. Besoj që në statut do të shohim elemente të cilat do të jenë në kundërshtim edhe me Ligjin për Qeverisje Lokale sikurse edhe me Kushtetutën e Kosovës", ka vlerësuar Beqaj.

Aktualisht në Prishtinë ka dy interpretime të kundërta të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Përderisa opozita e quan atë si hap drejt "bosnjëzimit" dhe krijimit të entitetit autonom serb në Kosovë, qeveria e krahason me një Organizatë Joqeveritare.

Të dyja interpretimet, sipas analistëve nuk qëndrojnë. Një e metë e këtij dialogu, po besohet të jetë edhe mbyllja dhe jo transparenca e tij, çka më pas po krijon huti e konfuzion.

Naim Rashiti thotë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i mbyllur për mediat dhe opinionin, ngase kështu e ka përcaktuar ndërmjetësuesi, që në këtë rast është Bashkimit Evropian. Një qasje e tillë, sipas tij, më shumë i ka shkuar shtati politikës në Serbi, por jo edhe asaj në Kosovë.

"Politika kosovare, institucionet, filluar nga kryeministri, do ta paguajnë dhe po paguajnë një çmim të lartë nga kjo qasje ndoshta e imponuar ndaj tyre sa i përket dialogut. Por, megjithatë ata kanë pasur mundësi të bëjnë shumë më shumë për të njoftuar opinionin në raport me metodologjinë e dialogut në raport me pritjet dhe në raport me çështjet që janë të ndërlidhura me Serbinë", ka deklaruar Rashiti.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes, pritet të mbledh përfaqësues të deleguar nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Asambleja dhe Këshilli i këtij trupi, do t'i kenë shenjat dalluese dhe do të komunikojnë në emër të komunave serbe me institucionet qendrore në Prishtinë.