Kuvendi i Maqedonisë, për një javë qindra ligje

Parlamenti i Maqedonisë (Foto nga arkivi)

Në mungesë të opozitës, shumica parlamentare ka vazhduar me miratimin e shumë ligjeve me procedurë të përshpejtuar, pa asnjë debat, jo vetëm në Kuvend, por edhe në opinion, ashtu siç parashihet, për miratimin e disa ligjeve në sfera të ndryshme.

Madje, javën e kaluar janë miratuar 250 ligje duke thyer rekordin e të gjitha përbërjeve parlamentare.

Nga partitë politike pjesëmarrëse në Kuvend, nuk dëshirojnë që të komentojnë miratimin e ligjeve të shumta me procedurë të përshpejtuar, me arsyetimin se kanë respektuar procedurat ashtu siç është kërkuar nga propozuesi që zgjidhjet ligjore të miratohen në formën e propozuar.

Janë miratuar ligje të ndryshme, që nga ato më të rëndësishmet si për lustrimin, ndryshime në Ligjin për doganat, për tatimet, për Bankën Popullore, ratifikime të marrëveshjeve me shtetet tjera e deri te ligjet në sferën e bujqësisë dhe të ambientit jetësor.

Njohësit e çështjeve politike thonë se veprimi i këtillë i shumicës parlamentare është absurd, pasi miratimi i ligjeve në mungesë të opozitës, cenon jo vetëm demokracinë, por vë në dilemë edhe cilësinë e ligjeve të miratuara.

Ismet Ramadani, ish-deputet në disa përbërje parlamentare, thotë se kriza politike në të cilën ndodhet Maqedonia, është pasojë edhe e punës së Kuvendit, që gjithmonë është udhëhequr nga politika e mbivotimit apo e miratimit të ligjeve, qoftë pa konsensus mes partive apo në momentin kur në seanca kanë munguar partitë opozitare.

“Një nga faktorët që solli politikën në Maqedoni në këtë krizë është edhe puna e Kuvendit pa opozitën kryesore, në këtë rast Grupin Parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate. Vlerësoj se ky duhet të ishte mësim dhe Kuvendi të mos vazhdonte me një tempo kaq të madhe të miratimit të ligjeve. Nga një veprim i tillë ekziston mundësia që të minohet marrëveshja politike, e cila megjithatë, jep shpresë se mund të dilet nga kriza, në të cilën ndodhet vendi për momentin”, thotë Ramadani.

Nga ana tjetër, Misha Popoviq nga Instituti për demokraci “Shoqëria Civile” thotë se kjo që po ndodh me Kuvendin e Maqedonisë, nuk ndodh në asnjë vend tjetër.

Ai thotë se brengosës është fakti se ligjet po miratohet me ritëm të përshpejtuar tani kur kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në kthimin e opozitës në Kuvend.

“Kuvendi i Maqedonisë po vepron sikur të jetë vënë para zjarrit për miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar. Miratimi i ligjeve nga shumica parlamentare nënkuptohet si një akt teknik ku nuk duhet të ketë asnjë debat për përmbajtjen e tyre. Kjo nuk ndodh vetëm në Kuvend, por edhe nga propozuesi, pra Qeveria, e cila ligjet i dorëzon pa asnjë debat edhe brenda ekzekutivit”.

“Një veprim i tillë është i papranueshëm që kaq shumë ligje të miratohen në mungesë të opozitës. Ligjet e tilla nuk besoj të kenë cilësi pasi krijohet përshtypja se janë miratuar sipas nevojave të një grupi të caktuar dhe jo të shoqërisë në përgjithësi. Vlerësoj se shumica parlamentare duhej të demonstronte kapacitete demokratike dhe të priste kthimin e opozitë që të mund të mënyrë demokratike të debatojë për miratimin e ligjeve”, vlerëson Popoviq.

Por, Ismet Ramadani, njohës i çështjeve politike thotë se në rrethanat aktuale është vështirë të pritet demonstrim i kapaciteteve demokratike nga ana e partive, të cilat interesat personale dhe ato partiake i kanë vënë mbi interesat shoqërisë më të gjerë.

“Kemi të bëjmë me një shumicë parlamentare apo me parti politike në pushtet, që aspak nuk brengosen se si do të rrjedhin proceset në Maqedoni. Ato mendojnë se veprimi i këtillë apo miratimi i ligjeve me procedurë të përshpejtuar, është në interesin e tyre. Por, kjo nuk do të ndodhë, pra nuk do të jetë në favorin e tyre, por do të jetë e kundërta pasi tani, me kthimin e opozitës, do të shihet kuptimi i vërtetë i Kuvendit".

"Ajo do të kërkojë ndryshimin e ligjeve që si propozim vijnë nga Qeveria. Debati i hapur me mendime të ndryshme e bën më të respektuar Kuvendin, por edhe më produktiv në zhvillimin e demokracisë në vend dhe arritjen e standardeve të BE-së aty edhe ku synon të anëtarësohet Maqedonia”, thotë Ramadani.

Opozita maqedonase në Kuvend pritet të kthehet të martën ashtu siç parashihet me marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike. Ajo që nga zgjedhjet e 24 prillit të vitit të kaluar e ka bojkotuar Kuvendin me kthimin e mandateve me pretendimin se zgjedhjet ishin të falsifikuara nga pushteti aktual.