Autostrada Durrës - Prishtinë - Nish, zbut armiqësitë në rajon

Foto nga arkivi

Autoritetet kompetente në Prishtinë, pohojnë se tashmë kanë përgatitur projektin për autostradën Prishtinë - Merdare - Nish, në kuadër të punimeve për autostradën që lidhë Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Projekti përkrahet nga Bashkimi Evropian, si projekt i përbashkët i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor.

Ky projekt thuhet se do të diskutohet edhe në takimin e së enjtes në Vjenë, i cili pason Samitin e Berlinit të mbajtur një vit më herët nën organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.

Kosova dhe Serbia kanë edhe një marrëveshje për autostradën Prishtinë - Nish, të arritur në Bruksel dhe të cilën Bashkimi Evropian është zotuar se do ta financojë.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova ka përfunduar projektin, kurse studimin e fizibilitetit është duke e përgatitur Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ministri Zharku, tregon se Qeveria e Kosovës ka konfirmuar gatishmërinë për realizimin e projektit të përbashkët, pasi siç thotë ai, autostrada në territorin e Kosovës, është vazhdimësi në Autostradën “Ibrahim Rugova”, që tashmë ka përfunduar deri në Besi, fshat ky që gjendet rreth magjistrales Prishtinë - Podujevë, kurse ekzistojnë edhe rreth 24 kilometra tjera deri në Merdarë.

“Autostradën deri në Prishtinë e kemi përfunduar. Ka mbetur pjesa Besi - Merdare ajo që pritet të financohet. Por, dallimi është se shtetet vetë duhet të zotohen se vetë do të financojnë. Se sa është masa e financimit nga Bashkimi Evropian ajo nuk është vendosur, sepse 1 miliard euro janë për gjithë Ballkanin”, tha Zharku.

Ministri Zharku, ndërkaq konsideron se kjo autostradë ka ndikime edhe në aspektin politik, por edhe ekonomik.

“Rëndësinë më shumë e shohim në aspektin ekonomik edhe pse Bashkimi Evropian luan rol edhe në aspektin politik. Por, rëndësia e saj është se për t'u financuar një projekt i tillë, duhet që ai të lidhë dy shtete. Pastaj është rëndësia që ka autostrada në rajon, është një korridor i ri që lidhet drejt bregdetit shqiptar Jon dhe Evropë Juglindore në përgjithësi”.

“Në aspektin politik, ka rëndësi sepse hiqen pak ato ‘hasmëritë’ në Ballkan“, ka thënë Zharku.

Bashkimi Evropian, në mars të këtij viti, pas një konferencë ndërministrore të gjashtë vendeve Ballkanike, që është mbajtur në Prishtinë, ka premtuar se është i gatshëm të investojë deri në 1 miliard euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se e mbështesin këtë projekt, pasi sipas tyre, më ndërtimin e kësaj autostrade krijohet një konfiguracion i ri strategjik dhe Kosova do të fitojë në këtë drejtim.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke folur për rëndësinë e kësaj autostrade, ka thënë se tregtia në mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe shteteve tjera të Ballkanit, do të realizohet më lehtë, por e një rëndësie te veçantë është se realizimi i këtij projekti nuk prek buxhetin e Kosovës.

"Përfitimet nga kjo auto-udhë do të jenë më të mëdha. Nuk duhet të mendohet se autostrada në fjalë është një shkop magjik që do të jep rezultate pozitive menjëherë apo për një periudhë afat-shkurtër, por duhet gjithmonë të analizohet në një dimension kohor afatmesëm dhe afatgjatë. Por, besoj se është e një rëndësie të veçantë“, tha Gërxhaliu.

Ndryshe, në rrjetin bazik të Ballkanit Perëndimor, projektet që janë përmendur se do të mbështeten, përveç autostradës që lidhë Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë, janë edhe linjat hekurudhore në Ballkan e deri te mbështetja e projekteve të përbashkëta të energjisë.