Vala e parë e migrantëve arrin Hungarinë

Migrantët në kufirin me Hungarinë

Mbi 1,000 migrantë dhe refugjatë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika kanë arritur në Hungari nga Serbia, nëpërmjet një udhe ndërkufitare hekurudhore, në afërsi të fshatit hungarez, Roszke. Policia e Hungarisë raportohet se i ka shoqëruar ata në qendrën më të afërt të regjistrimit.

Vala e re e migrantëve që arrijnë Bashkimin Evropian, vjen pasi autoritetet maqedonase kanë rihapur kufirin me Greqinë, duke lejuar hyrjen e mbi 7,000 emigrantëve gjatë tre ditëve të fundit.

Serbia dhe Maqedonia, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, kanë qenë të ngufatura me migrantë këtë verë, të cilët përpiqen të arrijnë bllokun evropian përmes rrugëve të Ballkanit perëndimor.

Të premten e kaluar, Maqedonia ka mbyllur kufirin me Greqinë për migrantët, duke përdorur edhe forcën kundër atyre që kanë bërë përpjekje të kalojnë kufirin.

Sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, rreth 102,000 migrantë kanë hyrë në BE përmes Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës, Shqipërisë, Malit të Zi ose Kosovës në periudhën janar-korrik, të këtij viti.

Kjo, krahasuar me vetëm 8,000 në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Grupi që ka arritur në Hungari, i përbërë kryesisht nga refugjatë sirianë, ka kaluar përmes një seksioni të kufirit që nuk është ende i rrethuar me tela.

Qeveria e Hungarisë është duke ndërtuar një gardh përgjatë kufirit me Serbinë, në përpjekje për të ndaluar valën e emigrantëve. Afati për përfundimin e këtij muri me tela është 31 gushti.

Budapesti po ashtu planifikon që në muajin shtator të kalojë legjislacionin që kriminalizon kalimin e paligjshëm të kufirit ose çdo përpjekje për të kapërcyer gardhin.

Vala e parë e migrantëve që kanë arritur në Hungari do të ndiqet shpejt edhe nga të tjerë, pasi, nga fundjava, 7,000 deri në 10,000 njerëz kanë hyrë në Maqedoni nga Greqia dhe shumica prej tyre janë tani nëpër Serbi.

Rritja e numrit të emigrantëve ka brengosur udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe ka detyruar vendet e varfra të Ballkanit që të merren me ta.

Komisionari i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara ka kritikuar vendet e pasura të Bashkimit Evropian, si Gjermaninë dhe Suedinë, për mbështetje jo të mjaftueshme financiare për shtetet e varfra.

“Problemi nuk do të zhduket shpejt dhe ai prek gjithë Evropën”, ka thënë drejtori i Byrosë në Evropë të OKB-së, Vincent Cochotel.

Bashkimi Evropian i ka ndarë tashmë Maqedonisë 90,000 euro për ta ndihmuar në mbulimin e nevojave themelore për migrantët. Greqia, ndërkaq, pritet të marrë rreth 425 milionë euro për menaxhimin e kufijve dhe për krijimin e një qendre për shqyrtimin e kërkesave për azil.

“Duhet të kuptojmë se hedhja e fajit nuk sjell ndonjë rezultat pozitiv”, ka thënë shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Ajo po ashtu ka theksuar nevojën që të trajtohen shkaqet rrënjësore të migrimit, siç janë konflikti në Siri, trazirat në Afganistan dhe disa pjesë të Afrikës, si dhe dështimi për të krijuar qeverinë e unitetit kombëtar në Libi.

Përgatiti: Valona Tela