Mustafa: Marrëveshjet do të jenë në interes të Kosovës

Mogherini dhe Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj që të përfundojë me sukses marrëveshjet me Serbinë në disa fusha.

“Marrëveshjet që mund të arrihen janë në interes të sovranitetit të vendit dhe të integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Çështja e energjisë, e asociacionit të komunave, kodit telefonik dhe lëvizjes në urën mbi Ibër, janë diskutuar gjatë, me vite të tëra”.

“Ky fakt tregon se janë trajtuar në mënyrë të hollësishme mundësitë, si dhe korniza kushtetuese e ligjore dhe nuk është vepruar dhe nuk do të veprohet në arritjen me çdo kusht të asnjë marrëveshjeje”.

“Ju siguroj se kemi analizuar dhe kemi konsultuar ekspertizën e brendshme dhe ndërkombëtare për çdo temë dhe për çdo element të saj dhe se do të kërkojmë rrugëzgjidhje, e cila krijon prosperitet për vendin, fuqizim të rendit kushtetues dhe progres ekonomik”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.

Mustafa ka nisur sot në Bruksel një rreth të ri bisedimesh me homologun serb, Aleksadandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.