Pjesëtarët e ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ushtria e Maqedonisë, edhe të hënën kanë vazhduar me vendosjen e çadrave dhe tendave për instalimin e qendrës së përkohshme të strehimit për refugjatët që vijnë nga zonat e prekura nga lufta në Lindjen e mesme dhe Afrikën e veriut, me qëllim që të bëhet sa më mirë koordinimi i transferimit të tyre në kufirin me Serbinë.
Në këtë qendër, refugjatëve u mundësohet marrja e dokumentacionit përkatës në bazë të cilit atyre u mundësohet të qarkullojnë lirshëm në territorin e Maqedonisë brenda 72 orëve, duke u nisur për nga pika kufitare e Tabanovcit me Serbinë, për të mbërritur më pas në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilin e kanë si synim të fundit.
Por, ekspertët e sigurisë dhe organizatat joqeveritare, theksojnë se ky vendim i qeverisë për instalimin e kampit për refugjatët, të cilët kryesisht janë nga Siria, duhej të bëhej para se të shpallej gjendje krize, si dhe sipas tyre, nuk kishte nevojë për mbylljen e kufirit.
“Me vetë aktin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë duhet të kishin hartuar një plan të detajuar, duke simuluar të gjitha situata të mundshme të cilat do të mund të reflektoheshin në teren nga bllokimi i kufirit”.
“Por, në vend të kësaj, në teren pamë një organizim shumë të dobët andaj dhe erdhi deri tek situata e tensionuar në kufirin e Maqedonisë me Greqinë. Por, me kalimin e kohës institucionet e shtetit i vërejtën lëshimet dhe më pas ndërmorën aktivitete konkrete. Përkatësisht instalimi i kampit ku migrantët pajisen me dokumentacionin përkatës dhe ushqim ka bërë të kemi një situatë më të relaksuar”, thekson Vlladimir Pivovarov, ish zyrtar i lartë i shërbimeve sekrete për zbulim dhe kundërzbulim.
Pivovarov thekson se keqmenaxhimi i krizës së refugjatëve në kufirin jugor të vendit, lehtësisht ka mundur ta vej në pikëpyetje edhe stabilitetin e Maqedonisë.
Nga ana tjetër, Gabriella Anderevska, e cila është përfshirë në aktivitete për të ndihmuar refugjatët nga organizata joqeveritare “Solidariteti”, thotë se situata në teren me funksionimin e kampit për refugjatët në të cilin migrantët e lodhur mund të pushojnë disa orë dhe të marrin ndihma në ushqim dhe ilaçe, është më e qetë se ditëve më parë.
“Sa i përket organizimit, sot vërejmë një funksionim më të mirë të institucioneve, migrantët në mënyrë më të lehtë arrijnë të sigurojnë dokumentacionin përkatës, në formë të organizuar ata nisen me tren ose autobusë në drejtim të pikës kufitare me Serbinë, në Tabanovc. Kampi është ndërtuar shumë larg qytetit të Gjevgjelisë dhe ata e kanë shumë të vështirë të blejnë veshmbathje dhe gjëra të tjera”, thekson Gabrialla Andreevska.
Ndërkohë, për ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë Mitko Cavkov, i cili ka shkuar për një vizitë në Gjevgjeli bashkë me shefin e diplomacisë austriake Sebastian Kurc, është e palogjikshme që problemi me krizën e refugjatëve në Maqedoni, vjen përmes një vendi i cili është shtet anëtar në BE - Greqisë.
Cavkov njëherësh ka theksuar se pret ndihmë konkrete nga Brukseli për të menaxhuar situatën e krijuar nga vala e refugjatëve.
“Me rreth 800 pjesëtarë të policisë dhe ndihmën që na ofron ushtria e Maqedonisë arrijmë të menaxhojmë situatën me refugjatët, e cila nga dita në ditë mund të eskalojë për shkak të hyrjes së pakontrolluar të migrantëve nga ana greke”.
“Qëllimi ynë primar mbetet qasja humanitare dhe organizimi i transferimit të tyre përmes Maqedonisë si shtet duke i mbrojtur nga grupet e organizuara kriminale të cilët dëshirojnë të përfitojnë përmes transferimit të tyre në kufirin me Serbinë”, ka theksuar ministri Cavkov.