Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka bërë të ditur se pjesëtarët e forcave speciale maqedonase, të premten kanë përdorur gazin lotsjellës për të ndaluar emigrantët të cilët kanë tentuar që në mënyrë ilegale të kalojnë kufirin me Greqinë për të hyrë në Maqedoni.
Qeveria e Maqedonisë të enjten ka shpallur gjendje krize me refugjatët dhe njëkohësisht e ka mbyllur kufirin jugor për emigrantët, të cilët kryesisht janë nga Siria.
Kjo ka bërë që mijëra emigrantë natën ta kalojnë në qiell të hapur në zonën kufitare mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Sipas të dhënave të Policisë së Maqedonisë, deri tani, në këtë vend kanë hyrë mbi 40 mijë migrantë, por ky numër vlerësohet të jetë shumë më i lartë për shkak të hyrjeve të shumta ilegale.
Maqedonia, e cila nuk është në Bashkimin Evropian, është vend i madh tranziti për migrantët që hyjnë në BE në Greqi dhe bëjnë përpjekje të udhëtojnë drejt veriut, përkatësisht vendeve më të begata evropiane.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë theksojnë se në vend lejohet hyrja e një numri të kufizuar të emigrantëve nga kategoritë më të ndjeshme, siç janë familjet me fëmijë të vegjël, pleq dhe të sëmurë.
Edhe nga Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë, për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se “përgjatë vijës kufitare Maqedoni-Greqi është vendosur një numër i caktuar i pjesëtarëve të armatës së Maqedonisë. Një pjesë e ekipit të njësisë është duke kryer detyrat e caktuara, përkatësisht merret me vendosjen e rrjetave me gjemba, për të pamundësuar kalimin ilegal të kufirit Maqedoni-Greqi”.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërkohë, organizatat joqeveritare të cilat në teren angazhohen për të ndihmuar migrantët, të cilët arrijnë në Maqedoni nga Lindja e Mesme, thonë se vendimi qeveritar për shpalljen e krizës për shkak të fluksit është vendim i gabuar, për të cilin nuk kishte aspak nevojë nëse vendi do të krijonte një strategji më efikase për menaxhimin e lëvizjes së emigrantëve.
Jasmin Rexhepi nga organizata joqeveriatre LEGIS, thotë se situata e migrantëve përgjatë pjesës jugore të kufirit është shumë e rëndë, ndërkohë që revolta e tyre është gjithnjë e më e theksuar, si rrjedhojë e kushteve të vështira.
“Në mesin e migrantëve ka dhe të lënduar, nuk mund të themi me saktësi nëse plagët janë marrë nga gazi lotsjellës apo përdorimi i shufrave të gomës nga ana e policisë maqedonase; në mëngjes aktivistët tanë arritën të depërtojnë në mes-zonë, por më pas janë larguar”.
“Ajo që mund të themi me saktësi është se këta njerëz janë të lodhur, të rraskapitur me ditë të tëra pa ujë dhe ushqim, andaj nevojitet intervenim i menjëhershëm i organeve kompetente për të ofruar të paktën ndihmën bazë në ilaçe dhe ushqim”, thekson Jasmin Rexhepi.
Organizatat joqeveritare janë të mendimit se vendimi i qeverisë për të bllokuar kufirin krijon mundësi që sërish, siç thonë, të lulëzojë trafikimi me migrantë, njëherësh të vihet në rrezik lëvizja e tyre. Deri më tash praktika ka dëshmuar se refugjatët përmes formave të ndryshme arrijnë të depërtojnë në Maqedoni dhe në mënyrë ilegale të lëvizin përgjatë vijave hekurudhore.