Trendi në rritje i kredive mbi kredi

Kartela bankare

Interesimi apo nevoja e qytetarëve dhe bizneseve për të marrë kredi në bankat komerciale që operojnë në Kosovë, vazhdimisht po rritet.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, niveli i kredive të përgjithshme në Kosovë, tashmë ka arritur në mbi 2 miliardë euro, apo për mbi 6 për qind llogaritet rritja vjetore.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, kreditë për ndërmarrje kanë arritur vlerën në mbi 1.3 miliardë euro, kurse kreditë për ekonomi familjare mbi 660 milionë euro.

Lidhur me këtë, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se ri-kreditimi i bizneseve për të mbyllur kreditë e vjetra ka rritur nivelin e kredive të përgjithshme.

Kurse, sa i përket ekonomive familjare, sipas tyre, mungesa e parave të gatshme në treg, ka bërë që e vetmja mundësi e financimit të ndonjë projekti për qytetarët mbetet huazimi i kredive në bankat komerciale.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, thekson se bizneset nuk kanë mundësi që të investojnë me fitimin e tyre, kështu që alternativa e vetme për mbijetesë mbeten kreditë.

“Unë mendoj se përmes kësaj metode, menaxherët e bankave në Kosovë janë duke i mashtruar edhe aksionarët e tyre, sepse përmes ri-kreditimit të bizneseve ata po e faturojnë si afarizëm pozitiv të bankave komerciale. Në fakt këtu vetëm po thellohet hendeku i pamundësisë së kthimit të kredive nga ana e bizneseve”, ka thënë Gashi.

Aleanca Kosovare e Biznesit, është duke hulumtuar se çfarë po ndodh me borxhet e mëdha të krijuara nga bizneset, qoftë në bankat apo autoritetet komunale dhe qendrore, por edhe tek furnizuesit.

Agim Shahini, udhëheqës i kësaj aleance, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se bizneset kanë borxhe të mëdha dhe për të paguar kredinë apo edhe borxhet e krijuara po marrin kredi të reja, e që po ndikon në pamundësi të kthimit të kësteve të kredive.

“Bizneset vendore janë duke u mbyllur për shkak të vështirësive të kthimit të borxheve. Bankat kanë interes të lartë dhe tepër profitabil karshi bizneseve private që operojnë në Kosovë, të cilat kanë fitim në produktet e tyre 2-5 për qind. Kurse, bankat komerciale, normat e interesit për kredi i aplikojnë mbi 10 për qind e në raste të caktuara shkon mbi 15 për qind”, ka thënë Shahini

Kurse sa i përket kredive për ekonomitë familjare, Naim Gashi konsideron se standardi i ulët i jetesës, pagat e ulëta në sektorin publik dhe privat nuk i krijojnë mundësi qytetarëve që të zgjerojnë kapacitet e tyre investive, kështu që mundësia e vetme mbetet kreditimi.

“Është diçka normale që secili shtet me rritjen e popullatës rritet edhe vëllimi i kredive, dhe është normale. Por, problemi te ne mbetet se familjet kosovare marrin kredi për të shlyer kreditë e vjetra . Do të thotë në pamundësi të kthimit të një kredie ata futen edhe në një kredi të re, dhe në fakt mundësia e kthimit të atyre kredive do të jetë edhe më e madhe”, shprehet Gashi .

Sipas publikimit “Sistemi Financiar “ të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për marrjen e kredive eventuale ndërmarrjet duhet të paguajnë normën e interesit prej 7.4 për qind, kurse ekonomitë familjare 8.2 për qind.