Me valën gjithnjë e në rritje të migrantëve të paligjshëm, të cilët përmes Hungarisë synojnë të depërtojnë drejt Evropës veriore, thirrjet në Bruksel dhe Berlin po bëhen gjithnjë e më të zëshme që ish vendet komuniste, tash anëtare të Bashkimit Evropian, të marrin përsipër përgjegjësinë që kanë.
Në këtë temë, shtypi botëror tërheqë vërejtjen për mundësinë e raporteve të tensionuara ndërmjet vendeve anëtare të BE-së, ndërkohë që vala e migrantëve nuk po tregon shenja të zvogëlimit.
Wall Street Journal, e përditshme amerikane, shkruan se në korrik të këtij viti, numri i migrantëve të cilët kaluan kufirin e BE-së, arriti në 107, 500 veta, duke trefishuar kështu numrin e regjistruar në korrik të një viti paraprak, sipas të dhënave të agjencisë evropiane të kufirit, Frontex.
Kriza më së shumti po ndjehet në Hungari, vend ky i cili këtë vit ka pranuar 120,000 kërkesa për azil.
Lokacioni i Hungarisë, shkruan gazeta, e bën këtë vend hyrjen më të arsyeshme në bllokun evropian për shumë migrantë nga Lindja e Mesme, të cilët shfrytëzojnë Detin Egje, depërtojnë në Turqi, Greqi dhe përmes Ballkanit, synojnë Evropën Veriore.
Your browser doesn’t support HTML5
WSJ citon një pensioniste hungareze, Veronika Toth, e cila jeton në fshatin kufitar me Serbinë, Asotthalom, se ka frikë nga migrantët.
“Ata vijnë në grupe prej 20 vetash dhe flenë e pushojnë në kopshtet tona”, thotë zonja Toth.
Gazeta rikujton se të martën, autoritetet hungareze kanë thënë se do të zbarkojnë mijëra pjesëtarë policie patrullimi në kufirin me Serbinë dhedo të miratojnë një legjislacion, në bazë të të cilit hyrja e paligjshme nga kufiri sanksionohet me 4 vjetë heqje lirie.
Në këtë kuadër, revista politike Foreign Policy, ka veçuar qëndrimin e Sllovakisë, zyrtarë të së cilës kanë vënë kushte për strehimin e migrantëve.
Jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë të gatshme të strehojnë migrantë, veçanërisht nëse ata janë myslimanë.
Ivan Metik, nga Ministria e Brendshme Sllovake, citohet nga revista të ketë thënë se Sllovakia planifikon të strehojë 200 refugjatë sirianë, po r të krishterë.
“Ne do të mund të strehonim 800 myslimanë, por nuk kemi xhami në Sllovaki, si do të integrohen ata këtu nëse nuk u pëlqen?”, ka thënë Metik për rrjetin britanik televiziv BBC.
T’i kundërshtosh në këtë mënyrë myslimanët, shkruan FP, në kontekstin e kësaj krize të migrimit, nuk është vetëm diskriminuese, por është edhe shumë e dëmshme, marrë parasyshë që numri më i madh i migrantëve vjen nga Siria, një vend me shumicë të jashtëzkaonshme myslimane.
E përditshmja britanike Financial Times, shkruan se është Gjermania vendi nga i cili edhe kanë dalë thirrjet për marrje më të balancuar të përgjegjësisë ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian.
Berlini ka bërë të ditur se pret që numri i azilkërkuesve këtë vit të arrijë në 800,000, numër ky i cili tejkalon numrin e azilkërkuesve në gjithë BE-në gjatë vitit 2014.
Autoritetet gjermane kanë tërhequr vërejtjen se qarkullimi pa pasaporta në zonën Schengen të Bashkimit Evropian do të mund të vihej në rrezik, nëse paraprakisht nuk arrihet një marrëveshje ndërmjet vendeve anëtare të bllokut evropian për shpërndarje të azilkërkuesve.
FT rikujton se vendet e Bashkimit Evropian në të cilat depërtojnë migrantët fillimisht, Greqia, italia dhe Hungaria, nuk janë duke e zbatuar atë që quhet “Marrëveshje e Dublinit”, sipas së cilës refugjatët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të bllokut.
Në këtë mënyrë, u lihet në dorë vetë refugjatëve të zgjedhin vendin e strehimit. [a.v.]