Kuvendi, për shtatë muaj punë, 31 ligje të miratuara

Kuvendi i Kosovës

Për shtatë muaj të funksionimit, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë arritur të përmbushin vetëm disa nga objektivat që i kishin në planin e punës, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile që monitorojnë punën e këtyre institucioneve.

Miratimi i amandamentit kushtetues për themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte, shihet si realizim i një prej qëllimeve kryesore që kishte proklamuar koalicioni qeverisës.

Kurse nga aspekti legjislativ, Kuvendi ka miratuar 31 ligje dhe ka në procedurë edhe shumë projektligje tjera.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) monitoron punën e Kuvendit të Kosovës dhe kohë pas kohe publikon edhe statistika të punës, arritjeve, sfidave dhe ngecjeve.

Jetmir Bakia nga ky Institut, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës janar - korrik të këtij viti, puna e Kuvendit është imponuar në disa raste nga Qeveria dhe zhvillimet politike.

"Kuvendi është përballur me disa kërkesa të jashtëzakonshme dhe të imponuara nga Qeveria, por sigurisht që janë imponuar edhe nga rrethanat politike. Këtu duhet përmendur miratimi i amandamentit për Gjykatën Speciale, ndryshimin e ligjeve për drejtësinë, ishin katër ligjet që prekin punën e gjykatave dhe prokurorinë si dhe rishikimi i buxhetit në mënyrën sa më të përshpejtuar".

"Për të gjitha këto çështje është dashur që të shmanget rregullorja e punës dhe normal që kanë ndërhyrë në planin e Kuvendit që kishte për vitin 2015", ka thënë Bakija.

Bazuar në planin e punës, Kuvendi kishte paraparë të miratonte rreth 60 ligje, por ka arritur t'i aprovojë vetëm 31 prej tyre.

Jetmir Bakija nga KDI, thotë se është vërejtur një seriozitet më i madh në lidhje me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve nga legjislativi aktual.

Po ashtu, edhe parashtrimi i pyetjeve parlamentare nga deputetët, që reflektojnë kërkesat dhe shqetësimet e votuesve, ishte më i theksuar gjatë kësaj periudhe të punës së Kuvendit.

Por, ajo që ka munguar, sipas tij, ishte prezenca dhe përgjigjet në këto pyetje nga numri më i madh i ministrave të Qeverisë së Kosovës, të cilët në shumë raste kanë munguar gjatë seancave.

"Është vërejtur, ndoshta edhe më shumë sesa në legjislaturat e mëhershme, mungesa e ministrave në seancat që kanë qenë kyqe dhe për çështje të fushave të tyre".

"Në përgjigjet e pyetjeve të deputetëve, sipas një matësi tonë deri kah mesi i korrikut, nga 218 pyetje, ministrat janë përgjigjur vetëm në 106 prej tyre. Kjo statistikë është mjaftë e ulët, pasi që kryeministri dhe ministrat kanë përgjegjësi që t'u përgjigjen të gjitha pyetjeve që vijnë nga deputetët", ka theksuar Bakija.

Ndërkohë, Lëvizja FOL, kishte prezantuar kohë më parë një statistikë matëse të punës së Qeverisë së Kosovës, ku kishte vlerësuar një performancë tejet të ulët dhe jo dinamike.

Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL pati vlerësuar se objektivat e qeverisë ende kryesisht mbeten në letër pasi që presin të zbatohen.

"Të dhënat tregojnë që Qeveria e Kosovës ka një dinamikë jashtëzakonisht të ulët të zbatimit të planit që vet e ka hartuar. Pra, nevojitet rritja e dinamikës së punës së qeverisë së Kosovës, ngaqë vërehet një dinamikë e ulët e zbatimit të planit", ka deklaruar Kalaja.

Analistët, kanë vlerësuar se ka disa faktorë që kanë ndikuar në punën e institucioneve qendrore. Fillimisht, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar kishte një vakum institucional prej gjashtë muajve që kishte ndikuar në grumbullimin e punëve të pakryera.

Ndërkaq që nga krijimi i koalicionit të gjerë mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, qeveria është përkujdesur që të përmbushë një prej zotimeve kryesore që kishte marrë para faktorit ndërkombëtar - përkatësisht të marrë vendim për themelimin e Gjykatës Speciale dhe miratimin e ligjeve përkatëse për këtë gjykatë.

Nga objektivat tjera madhore që ka para vetës ky koalicion qeverisës gjatë mandatit vijues, mbetet themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës si edhe i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.