Kosova nuk plotëson nevojat me bukë nga korrje-shirjet

Ilustrim

Në Kosovë ka përfunduar fushata e korrje shirjeve dhe sipas të dhënave të para zyrtare, nga rendimentet e grurit, Kosova mund të plotësojë nevojat për ushqim deri në 75 për qind.

Shkëlzen Dragaj, këshilltar politik në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se gjatë këtij viti rreth 85 mijë hektarë sipërfaqe kanë qenë të mbjella me kulturën e grurit.

“Kjo natyrisht se është si viteve të kaluara, rendimentet konsiderohen të kënaqshme, po ashtu edhe cilësore. Rreth 300 mijë tonë janë siguruar nga rendimentet e grurit. Nëse flasim për ta plotësuar nevojën qind për qind , atëherë Kosova ka nevojë edhe për 100 mijë tonë të tjera, apo 25 mijë hektarë”, bën të ditur Dragaj.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, rendimenti mesatar i grurit për këtë vit ka arritur nga 3,500 deri në 4,000 kilogramë për hektarë.

Në anën tjetër, përfaqësues të organizatave joqeveritare, që angazhohen për krijimin e një mjedisi më të zhvilluar socio-ekonomik në zonat rurale, duke mbështetur aktivitetet bujqësore, nuk kanë informacione sa ka arritur Kosova të sigurojë bukën nga kultura e grurit.

Megjithatë, Sylejman Bunjaku, përfaqësues në Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës, thotë se cilësia e grurit nuk është në nivel të duhur.

Rendimentet nuk kanë qenë cilësore sikur viteve të kaluara, për shkak të kushteve jo të favorshme klimatike në pranverë dhe kur është mbjellë gruri”, thotë Bunjaku.

Ndryshe, për të rritur interesimin e fermerëve për mbjelljen e sipërfaqeve më të mëdha me grurë, Ministria e Bujqësisë ka disa vjet që subvencionon fermerët, të cilët kanë aplikuar dhe plotësuar kriteret e kërkuara.

Shkëlzen Dragaj, nga Ministria e Bujqësisë, tregon se rreth 6 milionë euro ka qenë fondi i ndarë për këtë kategori, kurse rreth 11 mijë fermerë mjetet i kanë marrë para fillimit të fushatës së korrjeve shirjeve.

“Mbi 6 milionë euro është fondi në total, ndërsa për hektar 150 euro nga 125 euro sa ka qenë viteve të kaluara”, shpjegon Dragaj.

Subvencionet janë një lehtësim dhe mbështetje për mbjellje dhe korrje të drithërave, thotë Bunjaku, duke shtuar se fondi duhet të rritet, dhe njëherësh të krijohen kushte ligjore që të mbështeten edhe fermerët që kanë më pak se dy hektarë tokë të mbjellë me grurë.

“Gruri është kulturë strategjike, ka vlerë për sigurimin e bukës, dhe nuk është shumë fitimprurëse. E, për të inkurajuar fermerët për kultivimin e kësaj kulture, ndoshta është dashur të rritet fondi për subvencionim”, shton Bunjaku.

Sidoqoftë, Kosova vazhdon të importojë sasi të mëdha grurit dhe miellit nga vende të ndryshme të rajonit.

Sipërfaqja e përgjithshme në Kosovë është mbi 10,908 km katrorë, kurse 53 për qind e tokës është bujqësore. Ndërkaq, nga 1. 9 milion banorë, 61 për qind prej tyre jetojnë në zonat rurale.