Dy demokratë të tjerë në Senatin e Shteteve të Bashkuara kanë shprehur mbështetjen e tyre për marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Mbështetja nga senatorët John Tester, nga Montana, dhe Al Franken, nga Minesota, çon në 18 numrin e demokratëve në Senat që kanë shprehur përkrahjen e tyre.
Kjo do të thotë se është siguruar pak më shumë se gjysma e 34 votave të nevojshme që i mundësojnë presidentit Barack Obama t’i vë veto rezolutës që kanë përgatitur republikanët, për të kundërshtuar marrëveshjen bërthamore. Liderët republikanë do t’ia dërgojë rezolutën e tyre presidentit muajin e ardhshëm.
“Nuk është një marrëveshje e përsosur, por është e fortë. Sipas mendimit tim, kjo marrëveshje është më efektivja, më realistja për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore në 15 vjetët e ardhshëm”, ka thënë senatori Franken.
Kolegu i tij, Tester, është shprehur ngjashëm, duke thënë se marrëveshja është opsioni i vetëm, tani për tani, për të ndaluar aktivitetin bërthamor të Iranit.
Ai ka thënë se ndjehet i sigurt për të votuar pro marrëveshjes bërthamore në Kongres.
Por, Tester është sfiduar nga një fushatë televizive kundër marrëveshjes me Iranin, e cila tregon një veteran të luftës në Irak, i cili është plagosur rëndë nga shpërthimi i një bombe të prodhuar në Iran.
“Çdo politikan që është i përfshirë në këtë, duhet të mbahet përgjegjës. Ata do të kenë gjak në duart e tyre”, thotë rreshteri i pensionuar, Robert Bartlett, në spotin televiziv, ndërsa plagët e tij në fytyrë janë të dukshme.
Por, deri më tani, breshëria e reklamave kundër marrëveshjes çuditërisht ka pasur pak efekt. Edhe një tjetër demokrat, që është sulmuar nga grupet që kundërshtojnë marrëveshjen, senatori Joe Manchin, nga Virxhina Perëndimore, ka thënë se nuk ndjen fare presion.
Ky është lajm i mirë për Shtëpinë e Bardhë, e cila ka pasur pak shpresa se do të fitojë kundrejt republikanëve apo demokratëve nga shtetet konservatore, si Montana dhe Virxhina Perëndimore.
Kryetari i Çikagos, Rahm Emanuel, po ashtu ka shprehur mbështetjen e tij për marrëveshjen, edhe pse nuk ka të drejtë vote në Kongres.
Pavarësisht deklarimeve në favor të marrëveshjes, lideri i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka thënë se republikanët kanë ende mundësi të mëdha për të siguruar vota të mjaftueshme kundër vetos së presidentit, ndaj rezolutës së republikanëve.
Ai ka thënë se vë në dyshim strategjinë e Shtëpisë së Bardhë për t’u mbështetur vetëm në pakicën e Kongresit, për një marrëveshje të madhe diplomatike.
Marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore është arritur më 14 korrik. Ajo kërkon nga Irani frenimin e aktiviteteve bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Senati dhe Dhoma Përfaqësuese e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që dominohen nga republikanët, duhet që deri më 17 shtator ta miratojnë ose kundërshtojnë marrëveshjen bërthamore.
Kundër saj janë shprehur edhe disa demokratë, si senatori Chuck Schumer dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel.