FMN kërkon që Greqisë t’i lehtësohet borxhi

Ilustrim

Fondi Monetar Ndërkombëtar po i bën presion Evropës për t’i lehtësuar borxhet Greqisë.

Fondi ka thënë se do t’i ofrojë kredi të reja shtetit grek, vetëm nëse borxhi i tij bëhet më i qëndrueshëm.

Zyrtarë të FMN-së dhe ekspertë të tjerë besojnë se Greqia nuk do të jetë kurrë në gjendje që të paguajë plotësisht borxhin e saj.

Por, Gjermania dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian kanë refuzuar t’i shlyejnë ndonjë borxh Greqisë, duke thënë se statuti i BE-së nuk e lejon një veprim të tillë.

Shefja e misionit të FMN-së në Greqi, Delia Velculescu, ka thënë se huadhënësit evropianë të Greqisë duhet t’ia lehtësojnë asaj borxhet, nëse duan ta shpëtojnë.

FMN-ja nuk e ka të lejuar t’iu japë hua vendeve me ngarkesa të paqëndrueshme të borxhit.

Të martën, Athina është pajtuar me kushtet e huadhënësve për paketën e re të ndihmës, në vlerë prej 85 miliardë eurosh, që do t’i ndihmojë Greqisë të trajtojë borxhet dhe të mbetet në Eurozonë.

Greqia duhet t’i marrë fondet e ndihmës më së voni më 20 gusht, kur duhet t’i paguajë borxhin prej 3.2 miliardë eurosh Bankës Qendrore Evropiane.