Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, është vlerësuar për lehtësimin e tensioneve midis Teheranit dhe Uashingtonit dhe për kontributin e tij në sigurimin e marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore, muajin e kaluar në Vjenë.
Por, pasi ka ardhur në pushtet në vitin 2013, Rohani është shtangur kur ka mësuar se bisedimet sekrete midis dy vendeve kanë nisur së paku dy vjet më parë.
“Kur Rohani ka mësuar për detajet e bisedimeve, ai nuk ka mundur të besojë”, është cituar të ketë thënë këtë javë ish-ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Salehi, i cili tani kryeson Organizatën për Energji Bërthamore të Iranit.
Agjencia The Associated Press ka zbuluar e para shkëmbimet e papara sekrete midis Teheranit dhe Uashingtonit, në një raport në nëntor të vitit 2013, ku thuhet se takimet e nivelit të mesëm midis SHBA-së dhe Iranit kanë nisur në vitin 2011 në Oman.
Por, intervista e Salehit, e publikuar më 4 gusht në gazetën e përditshme Iran, ofron më shumë detaje të bisedimeve sekrete.
Ai ka thënë se ato janë bërë me bekimin e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe se janë iniciuar përmes disa mesazheve nga administrata e presidentit të SHBA-së, Barack Obama, të cilat janë dorëzuar në Iran nga zyrtarë të Omanit. Këto kanë përfshirë edhe një shënim të shkruar me dorë.
Sipas Salehit, Khamenei ka vënë disa kushte për bisedimet sekrete, duke kërkuar që negociatorët të përqendrohen vetëm në çështjen bërthamore.
Khamenei, i cili është thellësisht dyshues ndaj Shteteve të Bashkuara, po ashtu ka thënë se kërkesat e Iranit, përfshirë “të drejtën e tij për të pasuruar uranium”, duhet të ndiqen në bisedime.
Salehi ka thënë se pasi Khamenei ka dhënë dritën e gjelbër, mosmarrëveshjet midis vendimmarrësve në Iran kanë mbetur.
Takimi i parë, megjithatë, është zhvilluar dikur në vitin 2012, në një lokacion të pazbuluar në kryeqytetin Muskat të Omanit, ka bërë të ditur Salehi.
Po sipas tij, Irani ka dërguar një delegacion të udhëhequr nga zëvendësministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Ali Asghar Khaji, ndërsa delegacioni amerikan është kryesuar nga zëvendëssekretari i Shtetit, William Burns.
“Amerikanët kanë qenë të habitur në takimin e parë. Ata kanë thënë: ‘Nuk mund të besojmë se kjo është duke ndodhur. Kemi menduar se Omani bën shaka; nuk jemi të gatshëm të bisedojmë me ju’”, ka rrëfyer ngjarjen Salehi.
Ai ka besuar se rruga sekrete ia vlen të ndiqet.
“Amerikanët kanë qenë të gatshëm të shtyjnë përpara bisedimet, shpejt dhe nën kushte shumë të mira”, ka thënë Salehi.
Salehi është përballur me probleme në dërgimin e negociatorëve në Oman, për takimin e radhës, për shkak të mosmarrëveshjeve në Teheran.
Ekipi i SHBA-së pastaj ka informuar Iranin se bisedimet duhet të shtyhen deri pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 2012.
“Kështu e kemi humbur atë mundësi”, ka thënë Salehi, i cili është arsimuar në Shtetet e Bashkuara.
Salehi ka thënë se të dyja palët kanë vazhduar të shkëmbejnë mesazhe “jo në letër” përmes Omanit, ndërsa takimi i dytë ka ndodhur tetë muaj pas të parit.
Sipas Salehit, në takimin e dytë, Irani ka kërkuar që Uashingtoni të njohë zyrtarisht të drejtën e tij për program të pasurimit të uraniumit, për të cilin vetë Teherani thotë se ka qëllime paqësore, ndërsa qeveritë perëndimore mendojnë se synon krijimin e armës atomike.
Dy palët kanë mbetur në Oman për tri ditë.
Më në fund, lideri i Omanit, Sultan Qaboos, i ka shkruar një letër presidentit të atëhershëm të Iranit, Mahmud Ahmadinejad, duke thënë se përfaqësuesi i SHBA-së ka njoftuar se ai e njeh të drejtën e Iranit për të pasuruar uranium. Salehi ka thënë se Qaboos i ka dërguar një kopje të së njëjtës letër edhe presidentit Obama.
Disa në Teheran, megjithatë, kanë qenë skeptikë, duke thënë se Uashingtonit nuk mund t’i besohet.
Salehi ka thënë se ka takuar presidentin e tanishëm të Iranit, Hassan Rohani, para inaugurimit të tij në gusht të vitit 2013 dhe e ka informuar atë për kontaktet me zyrtarët amerikanë.
Rohani dhe Obama kanë zhvilluar një bisedë historike telefonike në shtator të vitit 2013. Ka qenë ai kontakti i parë i nivelit të lartë midis dy vendeve që nga revolucioni i Iranit më 1979 dhe kriza me pengjet amerikane në Teheran.