Temperaturat e larta shkaktojnë zjarre

Fotografi ilustruese

Kosova ka ditë që është duke u ballafaquar me temperatura të larta. Ditëve të fundit temperaturat më të larta në nivel vendi kanë arritur deri në mbi 35 gradë celsius.

Me ngritjen e tyre, janë shkaktuar edhe zjarre të pyjeve në disa rajone të Kosovës.

Deri të hënën pasdite, kur disa vende janë ballafaquar me shi të rrëmbyeshëm, kanë qenë rreth 250 intervenime nga ana e zjarrfikësve për shkak të zjarreve aktive.

Ahmet Zejnullahu, kryeshef i Agjencionit Pyjor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka thënë se këtë vit rreth 100 hektarë sipërfaqe tokë është përfshirë nga zjarri.

"Ekipet e zjarrfikësve dhe ndërhyrjet e menjëhershme kanë ndikuar që zjarret të shuhen menjëherë, ku sipërfaqja e zjarreve këtë vit është 100 hektarë. Por, nëse krahasohet me vitin 2012 kanë qenë sipërfaqet mbi 3 mijë e 500 hektar. Këtë vit kanë qenë zjarre sipërfaqësore dhe me ndërhyrje të menjëhershme", bën të ditur Zejnullahu.

Kosova ka 460 mijë hektarë pyje. Rreth 80 për qind e lëndëve djegëse në vend kanë burim pyjet.

Për këtë arsye, ekspertët e kësaj fushe thonë se pyjet në Kosovë janë pa përkujdesje duke shtuar se gjatë një viti priten rreth një milion metra kub pyje.

Ndonëse Kosova ka ligjin për pyje, i cili është miratuar në vitin 2003 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ky ligj nuk respektohet.

Në anën tjetër Latif Zeka, komandant i brigadës së zjarrfikësve tha për Radion Evropa e Lirë se është intervenuar për shuarje zjarri më shumë se 250 herë prej kur temperaturat janë ngritur.

"Rajoni më i djegur në Kosovë ka qenë komuna e Fushë Kosovës dhe Obiliqit. Edhe pyjet janë përfshirë nga zjarri, kryesisht në brezin kufitar, kryesisht ana e Prapashticës. Intervenimet më të mëdha kanë qenë në barin e thatë, amulloret", tha Zeka.

Ndërkaq, zoti Zeka thotë se kushtet e punës së zjarrfikësve janë të rënda, më së shumti për shkak të mungesës së stafit.

"Kushtet e punës nuk janë të mira, mund të them të rënda, me staf shumë të vogël dhe me kamionë të vjetruar. Prishtina qëndron pak më mirë, por kryesisht qëndrojmë keq. Kemi edhe mungesë stafi", u shpreh ai.

Sidoqoftë, ngritja e temperaturave ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të pacientëve në sistemin shëndetësor.

Javët e fundit në Qendrën Emergjente në Prishtinë, është rritur dukshëm numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë për shkak të temperaturave të larta, ka bërë të ditur Basri Lenjani, drejtor në këtë qendër.