Sektori i ndërtimtarisë nuk ndal punën as në temperatura të larta

Ilustrim

Pavarësisht thirrjeve të autoriteteve shëndetësore që qytetarët të kenë kujdes dhe t’iu shmangen aktiviteteve fizike gjatë mesditës, për shkak të temperaturave të larta, punëtorët në sektorin privat, konkretisht në atë të ndërtimtarisë, nuk po e ndërpresin punën as gjatë mesditës.

Se temperaturat po ndikojnë në shëndetin dhe e vështirësojnë punën e qytetarëve, thonë vetë disa punëtorë.

Blerimi, qe katër vjet punon në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa aktualisht punon në një objekt në periferi të Prishtinës.

Ai nuk dëshiroi që të bëhet publik emri i kompanisë ku punon, por megjithatë tregon për vështirësitë, me të cilat po ballafaqohet për shkak të temperaturave të larta. Sidomos gjatë mesditës, thotë ai, është e padurueshme.

“Punët nuk janë ndërprerë asnjë ditë. Gjatë kësaj kohe temperaturat kanë qenë shumë të larta, ne punojmë jashtë dhe në lartësi të mëdha, por askush nuk na ka thënë ta ndërpresim punën. Punë të lehtë në ndërtimtari nuk ka, e tani edhe kushtet klimatike, nuk e di si po e përballojmë”.

“Ka ankesa nga punëtorët... ne jemi të gatshëm që ta ndërrojmë orarin e punës, të punojmë edhe pasdite. Por, kjo nuk po kërkohet nga ne. Kështu që, ne duhet të punojmë shumë për të fituar shumë pak”, thotë Blerimi.

Këtë shqetësim e paraqesin edhe organizatat, të cilat mbrojnë të drejtat e punëtorëve, duke treguar se kanë kërkuar nga autoritetet kompetente që të ndryshohet orari i punës, në sektorët ku konsiderohet puna më e rrezikshme, duke përfshirë këtu edhe personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se këto rekomandime autoritetet kompetente nuk i kanë marrë parasysh.

“Unë i kam bërë thirrje Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, që ne, si Sindikatë dhe Ministria e Shëndetësisë, të takohemi dhe të vlerësojmë situatën aktuale, për shkak të temperaturave që kalojnë mbi 40 gradë. Sidomos të gjendet ndonjë alternativë e orarit të punës për gratë shtatzëna dhe qytetarët që vuajnë nga sëmundjet kronike. A ka nevojë që të ndërpritet orari i punës, me këtë përbërje si është, apo të gjejmë ndonjë mënyrë tjetër që të punohet katër orë para dite dhe katër (orë) pas dite”, thotë Azemi.

Por, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, thotë se një kërkesë të tillë nuk e kanë marrë dhe se çdo shqetësim, qoftë i organizatave apo punëtorëve, duhet të drejtohet në Inspektoratin e Punës. Ky inspektorat trajton çdo kërkesë, thotë ai.

“Në përgjithësi, Inspektorati i trajton të gjitha kërkesat dhe bëhen vizitat në të gjitha vend-punishtet ku ka informata që nuk respektohen të drejtat dhe kushtet e punës. Do të thotë, nëse dikush ka ndonjë kërkesë, ankesë apo shqetësim, duhet t’i drejtohet inspektoratit, bën edhe kabinetit të ministrit dhe ne i marrim veprimet dhe brenda 24 orëve e vizitojmë atë lokacion dhe dalim me rekomandim”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, ministri Abrashi.

Sidoqoftë, sindikatat që merren me mbrojtjen e punëtorëve, vazhdimisht janë ankuar për shkelje të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, e sidomos në sektorin e ndërtimtarisë, pasi, sipas tyre, punëtorët janë të rrezikuar për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse.