Mullah Omar – “përfundimisht” i vdekur

Mullah Omari

Një zyrtar nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Afganistanit, i tha Radios Evropa e Lirë në Afganistan se qeveria ka konfirmuar se lideri taliban, Mullah Mohammad Omar është i vdekur që nga viti 2013.

Zyrtari, që foli në kushte anonimiteti, nuk dha detaje tjera.

Por, një raport nga televizioni afgan "Kanali Një", citoi burime qeveritare teksa thoshin se lajmi për vdekjen e Mullah Omarit iu dha Qeverisë së Afganistanit, nga Pakistani.

Agjencia e lajmeve gjermane DPA, citoi një zyrtar afgan duke thënë se lideri i arratisur taliban ka vdekur dy vjet më parë në Pakistan, si pasojë e një sëmundjeje.

Korrespondeti i BBC-së në Kabul raportoi se burime nga zyra presidenciale afgane, si dhe zyrtarë të inteligjencës kanë konfirmuar se Mullah Omar kishte vdekur – me gjasë që dy apo tre vjet.

Ka pasur shumë raportime në të kaluarën për vdekjen e Mullah Omarit, por 29 korriku shënon herën e parë që zyrtarët afganë e konfirmojnë një gjë të tillë.

Megjithatë, zyrtarët në Kabul po tregohen të kujdesshëm në shpërndarjen e këtij informacioni.

Zafar Hashemi, zëdhënës i presidentit afgan Ashraf Ghani, u tha gazetarëve në Kabul se: "Kemi marrë lajme për vdekjen e liderit taliban Mullah Omar. Në këtë pikë, nuk mundemi as ta konfirmojmë, as ta mohojmë. Jemi duke i vlerësuar raportet”.

Nuk pati reagim të menjëhershëm të talibanëve afganë.

Zëdhënësit zyrtarë të talibanëve vazhdimisht i kanë përgënjeshtëruar raportimet për vdekjen Mullah Omarit.

Por, Fidai Mahaz, një fraksion i talibanëve që nuk i mbështetë bisedimet për paqe mes qeverisë afgane dhe talibanëve, bëri të ditur javën e kaluar se Mullah Omar ka vdekur dhe është zëvendësuar nga lideri Mullah Akhtar Mohammad Mansur.

Njoftimi për vdekjen e Mullah Omarit nga autoritetet në Kabul, vjen në një periudhë kritike, në prag të raundit të dytë të bisedimeve për paqe mes përfaqësuesve talibanë dhe negociatorëve të Qeverisë së Afganistanit, të caktuara të mbahen në Pakistan më 31 korrik.

Më 15 korrik, në një faqe të internetit zyrtare të talibanëve, u lëshua një komunikatë në emër të Mullah Omarit, ku thuhej se mbështetet legjitimiteti i këtyre negociatave – duke kthyer mbrapsht pozicionin tradicional të talibanëve, të cilët thoshin se nuk mund të ketë bisedime frytdhënëse për paqe, derisa forcat ushtarake të huaja nuk largohen nga tokat afgane.

Raundi i parë i bisedimeve sy-më-sy u mbajt në Murree të Pakistanit, në afërsi të Islamabadit, më 7 korrik, ku ndërmjetësuan zyrtarë të SHBA-ve dhe Kinës.

Vizita e delegacionit taliban ishte organizuar nga Mullah Mansur.

Përgatiti: Gresa Kraja