Vonesa e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe kufizimi i lëvizjes së lirë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ka tejkaluar edhe pritjet e qytetarëve të Kosovës, të cilët i bëjnë thirrje institucioneve për plotësim të kritereve. Dëgjoni anketën e Radios Evropa e Lirë me qytetarë.
Your browser doesn’t support HTML5
Mungesa e liberalizimit të vizave po cenon një ndër të drejtat elementare të njeriut, siç është lëvizja e lirë, janë shprehur qytetarët e Kosovës në një anketë për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm i izoluar në Ballkan, ku për të hyrë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian nevojiten vizat.
Qytetarja Besa Beqiri, ekonomiste me profesion, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se qytetarëve të Kosovës po i mohohet e drejta e lëvizjes së lirë në Evropë, ndonëse siç shprehet ajo, ndjehet si qytetare e Evropës.
" Plotësisht e izoluar ndjehem. Është procedurë e gjatë aplikimi për vizë, si për nga aspekti komunal, po ashtu është edhe shpenzim, gjë që nuk e din se a do të pajisesh me një vizë".
"Përkundër të gjitha atyre dokumenteve që t'i i ofron ambasadës, ata nuk të cilësojnë si qytetare të Evropës. Pse duhet të marrë unë vizë, për të shëtitur në shtëpinë time. Edhe unë jam pjesë e Evropës".
Ministria për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës ka përmbyllur tashmë raportin e dytë ku përfshihet përmbushja e kritereve evropiane të përcaktuara nga misioni vlerësues i Bashkimit Evropian.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se presin rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian në lidhje me kriteret e përcaktuara për liberalizimin e vizave Shengen për qytetarët e Kosovës.
Ariana Selmani, qytetare, ka biznes privat. Ajo ka theksuar se has në shumë vështirësi, për marrjen e vizave, ndonëse i duhet të udhëtojënëpër vendet e Evropës zyrtarisht.
"Sa i përket izolimit, është keq sepse një folder me dokumentacione duhet , për ta siguruar një vizë. Unë kam pasur rast të flas me një qytetar evropian, si gjerman, dhe ju duket absurde që ne duhet të marrim vizë, ndonëse konsiderohemi si qytetarë të Evropës".
"Unë një kontribut timin e kam dhënë, një nënshkrim si formë peticioni, edhe shpresoj që do të jetë hera e fundit që ne do të aplikojmë për viza, pasi që mendoj se edhe ne meritojmë lëvizje të lirë".
Edhe një tjetër qytetare, Mimoza Dushi, studente e psikologjisë, jep mendimin e saj.
"Përderisa jemi shteti i vetëm në Ballkan që jemi të izoluar edhe jetojmë në geto mendoj se është çështje shumë serioze dhe na prek më së shumti ne të rinjve. Vështirësitë janë të mëdha, maltretimi nëpër ambasada, sigurimi i dokumenteve, dhe në fund mund të refuzohesh".
Qytearja Violeta Islami, studion në Fakultetin Ekonomik, degën e kontabilitetit. Ajo është e pakënaqur me trajtimin që po i bëhet Kosovës.
"Duke u nisur nga fakti se jemi pothuajse vendi i fundit pa liberalizim, po ma merr mendja që është koha e fundit që ne të liberalizohemi. Edhe peticioni mendoj se do ta ketë efektin e vet, dhe do të merret parasysh kërkesa e qytetarëve".
Ndryshe peticioni për liberalizimin e vizave po vazhdon. Në tekstin e peticionit në të cilin po nënshkruhen një numër i madh i qytetarëve të Kosovës, thuhet se BE-ja duhet të trajtojë qytetarët e Kosovës ashtu si i ka trajtuar vendet tjera në rajon.
Ndërsa, nga institucionet e Kosovës kërkohet që t’i plotësojnë kriteret e vendosura me më shumë vullnet dhe vendosmëri.
Qytetarët të cilët po nënshkruhen në këtë peticion, për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se mos liberalizimi i vizave po cenon një ndër të drejtat elementare të njeriut, siç është lëvizja e lirë.
Ismajl Kastrati, arsimtar, shpreh mendimin e tij lidhur me atë se si ndihet si qytetar i izoluar.
"Mendoj se Evropa nuk dëshiron me na liberalizu. Unë mendoj se ne i kemi plotësuar standardet. Ndonëse unë mendoj se i kemi plotësuar standardet para pavarësisë, por mendoj se tash korrupsioni, luftimi i krimit, na bën ne si qytetarë të pësojmë", është shprehur zoti Kastrati.