Zeka: Kosovën po e përcjell trend negativ ekonomik

Arian Zeka

Rritja ekonomike, as duhet dhe as mund të bazohet në Qeverinë e Kosovës apo në institucionet publike - ajo duhet të vijë nga sektori privat. Kudo, në çdo vend ku funksionon ekonomia e lirë e tregut, bartës kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit është sektori privat. Prandaj, që të ndodhë kjo, duhet sa më shpejt të futen masat, të cilat mundësojnë fuqizimin e këtij sektori”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zeka, shtatë muaj që nga krijimi i institucioneve të reja, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës vazhdimisht kanë deklaruar se janë duke punuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Ju, si përfaqësues i bizneseve në Kosovë, si i keni parë këta shtatë muaj të qeverisë?

Arian Zeka: Ajo çfarë mund të themi për këtë periudhë të Qeverisë së re të Kosovës, është se ka pasur një rritje të shpresës dhe pritjes për rezultate më të mëdha edhe nga ana qytetarëve edhe nga ana e bizneseve, por për shkak të dinamikës së ngadalshme në vendimmarrje në nxjerrjen e masave lehtësuese për bizneset e që nuk ka pasur rezultate konkrete.

Ajo çfarë mund të thuhet është që ka pasur vazhdim të trendëve negativë nga viti i kaluar, edhe në aspektin e rritjes dhe fuqizimit të sektorit privat, edhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, që rrjedhimisht do të ndikojnë në normën e pritshme ekonomike për vitin 2015.

Radion Evropa e Lirë: Po thoni se nuk ka pasur rezultate konkrete, pse nuk janë arritur këto rezultate dhe çfarë duhet të bëhet?

Arian Zeka: Të gjitha këto pritje të shtuara të shoqërisë kosovare duhet të përcillen me masa konkrete të qeverisë. Duhet të shohim këtë zhvendosje të prioriteteve nga politika në ekonomi që i ka munguar Kosovës në të kaluarën.

Jemi të vetëdijshëm që Ministria e Financave dhe Qeveria në përgjithësi, sidomos pas zhvillimeve të fundit brenda Bashkimit Evropian, duhet të vazhdojnë të ndjekin politika më konservative. Megjithatë, ekzistojnë forma tjera mbështetëse, të cilat mund të fuqizojnë sektorin privat.

Rritja ekonomike, as duhet të bazohet dhe as mund të bazohet në Qeverinë e Kosovës apo në institucionet publike - ajo duhet të vijë nga sektori privat.

Kudo, në çdo vend ku funksionon ekonomia e lirë e tregut, bartës kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit është sektori privat.

Prandaj, që të ndodhë kjo, duhet sa më shpejt të futen masat, të cilat mundësojnë fuqizimin e sektorit privat, masat që janë garantuese për investitorët e huaj, pasi që pa kapital të ri, pa metoda të reja të punës, përfshirë këtu edhe teknologjinë më moderne të punës, e cila do të sillej nga investitorët e huaj, vendi ynë do të humbë hapin me zhvillimet që tashmë po ndodhin nëpër botë, e për të cilat ne nuk jemi të përgatitur.

Radio Evropa e Lirë: Thoni se Kosova nuk është e përgatitur. Për çfarë përgatitje bëhet fjalë?

Arian Zeka: Në këtë drejtim duhet të them që Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës së fundi ka filluar lansimin e diskutimit të temave, të cilat, mendoj, që nuk kanë marrë trajtimin e duhur në shoqërinë tonë, duke përfshirë edhe konceptin e ri teknologjik që po promovohet anë e mbanë botës, siç është interneti i gjërave, integrimi i internetit në secilën pajisje, thjesht ndryshimin e mënyrës së të jetuarit dhe kryerjes së punëve, përfshirë edhe ndryshimin e mënyrës së të bërit biznes.

Duam apo nuk duam shumë shpejt do të na imponohet edhe neve, nuk është diçka që lidhet me kërkesën tonë, por diçka që do të na imponohet e për të cilën unë mendoj se ne si vend nuk jemi të përgatitur.

Ekziston një debat i madh anë e mbanë botës,nëse këto zhvillime të reja teknologjike do të ndikojnë në zvogëlimin e vendeve të punës apo krijimit e vendeve të reja të punës, por pavarësisht se çka do të ndodhë, pavarësisht se cili do të jetë rezultati përfundimtar, ajo çka mund të themi nga konteksti ynë kosovar, është që ne nuk jemi të përgatitur për këto zhvillime teknologjike.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, cili do të duhej të ishte hapi i autoriteteve të Kosovës karshi këtyre zhvillimeve teknologjike?

Arian Zeka: Institucionet arsimore në Kosovë nuk po i mbështesin këta trendë të rinj botëror dhe një shqetësim që ne e shprehim në vazhdimësi është që institucionet arsimore nuk plotësojnë nevojat momentale të tregut, por nuk i plotësojnë as nevojat e ardhshme të tregut.

Institucionet arsimor duhet të shohin trendët botëror të zhvillimit të kërkesave për fuqi punëtore dhe të njëjtat të fillojnë të aplikohen edhe në vendin tonë.

Radio Evropa e Lirë: Me këtë trend të zhvillimit të teknologjisë dhe me qytetarët e Kosovës pa arsimim adekuat, ashtu si thoni ju, pra të papërgatitur për nevoja e tregut, zbutja e papunësisë në Kosovë del të jetë një problematikë e madhe?

Arian Zeka: Një prej arsyeve më të mëdha që Kosova ka këtë papunësi të madhe, është për shkak se ne vazhdojmë të kemi të rinj të diplomuar në fusha, për të cilat më nuk ka kërkesë të madhe në tregun e punës.

Po i shoh disa përpjekje të ditëve të fundit që të kufizohet numri i studentëve të rinj nëpër fushat sociale dhe t’u jepet prioritet më i madh drejtimeve që nuk lidhen me fushat sociale, duke përfshirë këtu shkencat natyrore dhe matematikore, e që është një përpjekje e qëlluar.

Nëse ne, si asociacione të biznesit, nëse ministritë përkatëse,nëse shoqëria në përgjithësi flet se ekzistojnë potenciale të shumta të zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, atëherë shkollimi duhet të jetë në këtë shërbim.

Mund të tingëlloj skeptik, por unë dyshoj se kemi kapacitetet e duhura dhe të mjaftueshme njerëzore që të realizojmë këtë potencial të zhvillimit të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve në Kosovë. Duhet të kemi më shumë fuqi punëtore kurdo që krijohen kompanitë në këtë sektor, dhe ata duhet t’i kenë njerëzit që do t’i kryejnë detyrat dhe t’i realizojnë misionet e këtyre kompanive.