Mabetex konfirmon vdekjen e tre punëtorëve në Kazakistan

Ilustrim

Tre persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar përderisa po punonin për kompaninë “Mabetex” në Astona të Kazakistanit.

Lajmi është konfirmuar nga vet “Mabetex”, ku thuhet se rreth orës 11:00 në Astana ka ndodhur një tragjedi ku për fat të keq kanë humbur jetën punëtorët: Blerim Kadriu (1981), Bekim Durmishi (1983) dhe Luan Bakia (1976) si dhe janë lënduar Hajrush Hoti (1969), Isuf Bekolli (1956) dhe Avni Maksuti (1979)”.

“Lidhur me shkaqet si ka ndodhur tragjedia ‘MABCO Constructions’ është duke kryer një hetim rrënjësor në bashkepunim me organet e shtetit, për çka familjarët do të informohen në detaje”, thuhet në kumtesë.

“Mabetex”, duke shprehur ngushëllimet familjeve për këtë tragjedi, thotë se janë duke u ndërmarr masat e nevojshme për t’u kthyer kufomat e viktimave në Kosove, kurse tre të lënduarit janë duke u trajtuar në spitalet e Astanas.

“Kjo është tragjedia më e madhe që ka ndodhur në historikun e kompanisë tonë, për çka, edhe njëherë ndajmë dhimbjen me familjet dhe dashamirët e viktimave”, thuhet në kumtesën e “Mabetex”.