Judy Dempsey, bashkëpunëtore e lartë në Institutuin Carnegie Europe dhe kryeredaktore e blogut Strategic Europe, ka biseduar me korrespondentin e Radios Evropa e Lirë, Rikard Jozwiak, për rezultatet e referendumit grek dhe për atë se çfarë do të thonë ato për Bashkimin Evropian.
Radio Evropa e Lirë: Greqia u ka thënë “jo” propozimeve evropiane për ndihmë. Çfarë do të ndodhë tani?
Judy Dempsey: Do t’ju them atë që nuk do të ndodhë. Ajo që nuk do të ndodhë është kalimi nga një pikëpamje e qeverive kombëtare në një pikëpamje evropiane për të ardhmen e Evropës. Kriza greke ka ekspozuar dobësinë e pabesueshme të Evropës në të qenët në gjendje për të kuptuar se për çfarë ka ndodhur kriza.
Kjo krizë nuk ka të bëjë vetëm me paratë, nuk ka të bëjë vetëm me gjendjen e tmerrshme të politikës greke – kjo krizë ka të bëjë me të ardhmen e Evropës. Dhe, debati është dominuar vetëm me shtytjen e Greqisë, me kokëfortësinë e saj për të mos adresuar problemet e saj themelore.
Është injoruar ai imazhi i madh, se nëse Greqia lë Eurozonën, legjitimiteti i bashkimit monetar dëmtohet vërtet. Por, mbi të gjitha, ideja e integrimit politik dhe ekonomik ka hasur në pengesë të madhe. Ky do të jetë një dështim i madh për udhëheqjen evropiane.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se kriza greke kërcënon gjithë Eurozonën?
Judy Dempsey: Po, tërësisht. Do të jetë tronditëse. Fakti se ata nuk kanë mundur të trajtojnë krizën e një vendi të vogël, e di se tingëllon e madhe, por është kërcënim për Evropën dhe për të ardhmen e integrimit evropian.
Radio Evropa e Lirë: Ministrat e Financave të Eurozonës takohen sot (7 korrik) në Bruksel. Mendoni se ata mund të gjejnë një lloj kompromisi?
Judy Dempsey: Është vështirë të thuhet. Kam dëgjuar komentuesit gjermanë dhe elitën politike gjermane dhe elitat në gjithë Evropën. Nuk mendoj se i kanë pranuar ose duan t’i pranojnë problemet e një Greqie jashtë Eurozonës. Veç nëse (kryeministri krek) Alexis Tsipras del me një paketë të re serioze dhe ai ka një ministër të ri të Financave, që mund t’i ndihmojë atmosferës… por, atmosfera nuk është e mjaftueshme. Se çfarë do të ndodhë, nuk e di.
Vetëm shpresoj që Greqia nuk e lë Eurozonën. Vërtet nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Një gjë që do ta doja është që ata të vënë në agjendë atë se çfarë do të thotë kjo për Evropën dhe implikimet strategjike për Ballkanin Perëndimor, për Greqinë, për refugjatët, për Qipron, për marrëdhëniet transatlantike, për aftësinë e Evropës që të merret me anëtarët e saj. Nëse evropianët si institucione dhe si Bashkim Evropian nuk mund t’i trajtojnë këto, atëherë jemi duke ecur të përgjumur në harresë.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Rusia mund të futet në boshllëkun që ka krijuar kjo krizë?
Judy Dempsey: Në fakt, mendoj se kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Nëse ndodh që Greqia del nga Eurozona, mendoj se nuk do të kemi aftësinë për t’u marrë me krizën e Ukrainës, sepse të dyja kanë të bëjnë me të qenët të angazhuar. E di se mund të duket si shkumës dhe djathë, por të dyja mund ta çojnë Evropën në ngarkesa të gjata – për reforma themelore, për shpëtimin nga oligarkët, për t’i dhënë fund korrupsionit, për krijimin e transparencës.
Ju e dini se Rusia pret që të shohë dështimin tonë në Ukrainë dhe vetëm pret që të shohë dështimin tonë në Greqi. Padyshim se Rusia do të jetë në gjendje të përfitojë nga kjo brishtësi ekstreme e Bashkimit Evropian.