Maqedoni: Borxhi i jashtëm rritet, ekonomia ngec

Ilustrim

Borxhi i jashtëm i Maqedonisë ka arritur nivelin më të lartë që nga pavarësia, derisa ekonomia vazhdon të shënojë nivelet më të ulëta të zhvillimit të saj, thonë njohësit e çështjeve të ekonomisë, duke komentuar të dhënat e Bankës Popullore, sipas të cilave, borxhi tashmë ka tejkaluar shifrën prej 6 miliardë eurosh.

Gjysma e kësaj shume i takon sektorit privat, ndërsa gjysma tjetër institucioneve shtetërore.

Në krahasim me vitin 2014, borxhi i jashtëm i shtetit është rritur për 230.8 milionë euro, nga cilat 178 milionë janë marrë për të shlyer borxhet e mëparshme.

Fatkeqësisht, kjo rritje e borxhit nuk është rritje standarde, normale, e cila është për çdo shtet, respektivisht huazimi në tregun e jashtëm për të përmirësuar infrastrukturën e përgjithshme në një vend ose edhe për të mbështetur bizneset vendore".

"Por, të gjitha këto borxhe, veçanërisht ato të vitit të kaluar dhe të këtij viti, kryesisht janë të dedikuara për shlyerjen e detyrimeve paraprake të ngarkesave me borxhe që ka Maqedonia. Në këtë drejtim vlerësoj se ndoshta jemi ndër vendet e rralla që ndjekin strategjinë e shlyerjes së borxhit me borxh“, thotë Arben Halili, ekspert për çështje të ekonomisë.

Ai vlerëson se rritja e borxhit është pasojë e politikave ekonomike joproduktive, pasi paratë harxhohen në projekte populiste të qeverisë, nga të cilat nuk ka asnjë përfitim, siç është edhe projekti kundërthënës, “Shkupi 2014“.

Politika e këtillë e borxheve dëmton rëndë ekonominë e vendit, e cila edhe ashtu ndodhet në gjendje katastrofale, me rritje të papunësisë, rritje të tatimeve dhe ulje të prodhimit industrial.

“Sigurisht se efektet pritet të jenë shumë negative si për ekonominë momentale, ashtu edhe për atë të viteve të ardhshme, që do të jetë e stërngarkuar me pagesën e detyrimeve shtesë, të cilat me siguri se pritet të imponohen nga ana e qeverisë me të vetmin qëllim që në një farë forme do të tentojë të riparojë problemet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe“, thotë Halili.

Nga ana tjetër, Zoran Ivanovski, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Shkupit, thotë se politika e borxheve duhet të ndërpritet pasi Maqedonia, sipas tij, tashmë ka tejkaluar të gjithë kufijtë e huazimeve nga jashtë.

Ai thotë se qasja e tillë e qeverisë do të ketë pasoja të mëdha në kohën kur vendi ndodhet edhe në krizë të thellë politike, e cila po ashtu po reflektohet negativisht ndaj aspekteve ekonomike.

“Kuptohet, kursi i investimeve duhet të jetë projekti kryesor pasi vetëm përmes tërheqjes së kapitalit të jashtëm apo edhe politikave favorizuese ekonomike për bizneset vendore, mund të presim rritje ekonomike afatgjata".

"Politika e huazimeve nuk sjell asnjë përfitim, përkundrazi ajo dëmton rëndë ekonominë dhe qytetarët, pasi borxhet duhet të kthehen dhe këtë do ta bëjmë ne. Qeveria duhet t’u përkushtohet projekteve infrastrukturore që, po ashtu, ndihmojnë në mënyrë direkte ekonominë vendore, çdo zgjidhje tjetër do të jetë e dëmshme“, vlerëson Ivanovski.

Ai thotë se qeveria duhet të mbajë llogari dhe ta ketë për prioritet qëndrueshmërinë e politikave makroekonomike fiskale, pasi në të kundërtën gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë.

Ndryshe, borxhi i jashtëm prej mbi 6 miliardë euro arrin thuajse 50 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.