14 persona të kafshuar nga gjarpërinjtë për dy muaj

QKUK

Përveç pickimit nga rriqrat, këtë vit qytetarët e Kosovës po përballen edhe me rrezikun nga gjarpërinjtë. Dy muajt e fundit, në Klinikën infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nga kafshimi i gjarprit kanë kërkuar ndihmë 14 persona.

Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës infektive thotë për Radion Evropa e Lirë, se pacientët të cilët kanë kërkuar ndihmë, janë nga zona të ndryshme të Kosovës, kryesisht nga vende rurale.

Ne në Klinikën infektive e kemi një invazion me sëmundjen e helmimit nga gjarpërinjtë. Numri i të sëmurëve sillet rreth 14, këta dy muajt e fundit. Të gjithë janë mjekuar në Klinikën infektive dhe gjendja e tyre ka rezultuar e mirë pas mjekimit”, bën të ditur Ramadani.

Ai thotë se komuna e Kaçanikut prin me numër të personave që janë kafshuar nga gjarpri.

“Sivjet vërehet një numër i shtuar i rasteve me të kafshuar nga gjarpri nga pothuajse gjitha viset e Kosovës. Kaçaniku prin me numër... Kemi pasur një fëmijë 5-vjeçar, derisa mosha më e vjetër ka qenë një mashkull i moshës 55-vjeçare. Te dy raste është dashur të intervenohet në mënyrë kirurgjike”, sqaron Ramadani.

Kosova prej vitesh po ballafaqohet edhe me problemin mjedisor, me pickimin e rriqrave dhe ethet hemorragjike, gjë që sipas profesionistëve shëndetësorë, tashmë kjo është bërë një problem kronik.

Zonat e identifikuara endemike me rriqra janë Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku hyn edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit, ka disa vjet që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike.

Si rezultat, vitin e kaluar nuk ka pasur vdekje të personave nga ethet hemorragjike, "krime kongo".

Ndryshe, nga ethet hemorragjike vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5.200 qytetarë.

Malisheva prin me numrin e personave që janë pickuar nga rriqrat dhe prekur me ethe hemorragjike ndër vite.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Besim Zogaj, bën të ditur se në Malishevë, si zonë endemike nga rriqrat, është bërë spërkatja dhe vazhdimisht organizohen fushata vetëdijesuese, se si të mbrohen qytetarët nga rriqrat.

“Është bërë spërkatja e kafshëve që është në kuadër të strategjisë për parandalimin e etheve hemorragjike në nivel kombëtar. Kjo është strategji e përpiluar nga Këshilli ndërministror, e që praktikohet edhe nga shtetet e tjera. Është një eksperiencë e marrë nga vendet jashtë Kosovës. Spërkatja e kafshëve së bashku me masat tjera parandaluese paraqesin efekt pozitiv kundër kësaj sëmundjeje", thekson Zogaj.

Sidoqoftë, vetëdijesimi i popullatës, konsiderohet si shumë i rëndësishëm në uljen e numrit të njerëzve që pickohen nga rriqrat.

Ndërkaq, sa i përket personave të kafshuar nga gjarpri, në Klinikën infektive thonë se janë të pajisur me terapinë e nevojshme për mjekim.

Fatmirësisht, asnjëri nga këta pacientë, pavarësisht gjendjes së rëndë që kishin, nuk ka përfunduar me fatalitet apo me ndonjë komplikim më të thellë. Janë trajtuar me serum dhe terapinë mbështetëse me antibiotik”, shton Ramadani.

Kafshimi nga gjarpri mund të kalojë në sëmundje që njihet si mjaft serioze. Sipas studimeve botërore, rreth 2 për qind e të sëmurëve mund të përfundojnë me fatalitet.