Familjarët e të vdekurve nuk preferojnë autopsinë

QKUK

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2014 kanë vdekur rreth 1200 persona, derisa vetëm 12 prej tyre u është kryer autopsia. Ndërkaq gjatë vitit 2013 kanë vdekur 1,211 persona, ku vetëm 14 personave u është kryer autopsia.

Pavarësisht shkaqeve të vdekjeve, zyrtarët shëndetësorë thonë se janë familjarët e të vdekurve ata të cilët në të shumtën e rasteve, nuk pranojnë t’i bëhet autopsia trupit, pas vdekjes.

Ramadan Sopa, ushtrues detyre i drejtorit në Institutin e Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se çdo vit po shënon rënie trendi i të kryerit autopsi.

"Numri i trupave që u kryhet autopsia është i vogël. Janë rrethannat ligjore që kanë ndikuar në rënien e kërkesës për autopsi. Në ligj ceket se duhet të pyeten familjarët. Familjarët gjithmonë hezitojnë për autopsi pavarësisht situatës, janë rrethana të mentalitetit, është çështje sentimentale, derisa nuk e kuptojnë që autopsia është metodë diagnostike që ndihmon të diagnostikohet sëmundja nëse nuk është zbuluar deri para vdekjes".

Ndërkaq, Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mungesë autopsie për të vdekurit, mbulohen edhe gabimet e mjekëve.

"Është një rënie shumë e madhe e numrit të të vdekurve që u bëhet autopsia, dhe kjo na dërgon deri te mosdija se pse ka vdekur pacienti. Ne nuk i dimë shkaktarët e vdekjes së rreth 1200 personave vetëm vitin e kaluar. Normalisht ka mund të jetë vdekje natyrale, por edhe gabime të mjekëve që ne nuk i dimë".

"Ndërkaq sa i përket zyrës së ankesave, kemi raste që janë lajmëruar familjarët për vdekje të pacientëve, e që nuk i është rekomanduar autopsia nga vetë mjekët, por rastet janë në procedurë".

Ndërkaq zoti Sopa, shpjegon edhe për atë se në cilat raste zakonisht kryhet autopsia me lejen e familjarëve.

"Pacientët e kanë pyetësorin që duhet nënshkruar një marrëveshje, që pas vdekjes lejon që trupi i tyre t'i nënshtrohet autopsisë, por kjo rrallë herë përcjellet nëpër klinika. Rastet më të shpeshta për autopsi janë ato të fëmijëve të posalindur, ose të lindur para kohe, ku prindërit dëshirojnë të dinë shkaktarët".

Ndryshe, autopsia është një metodë teknike mjekësore, shkencore dhe deontologjike, për verifikimin, analizën, studimin dhe dokumentimin e dëmtimeve morfologjike që shkaktojnë sëmundjet e ndryshme dhe për të përcaktuar shkakun e vdekjes së pacientit.

Sipas profesionistëve shëndetësorë, roli i autopsisë është shumë kompleks, sepse përcakton incidencën e sëmundjeve dhe vdekshmërinë nga sëmundjet e ndryshme.

Zëdhënësi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, thekson se rasteve të dyshimta të vdekjeve u kryhet autopsia.

"Për rastet gjyqësore, me të cilat merren organet e drejtësisë si raste të dyshimta, autopsia kryhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore e që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”, thekson Fazliu.

Ndërkaq, Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, thotë se familjarëve të pacientëve të vdekur në institucionet shëndetësore, nuk iu shpjegohet mirë për procesin e autopsive, ngase, sipas tij, këto institucione dhe pikërisht profesionistët shëndetësorë nuk kanë shumë interes të bëhen të ditura shkaqet e vdekjes së pacientëve.