Rusia e ka kritikuar propozim-rezolutën në Kombet e Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë si përçarëse dhe tha se do ta paraqes tekstin e saj, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të kësaj masakre.
Propozim-rezolutën e ka përgatitur Britania, e cila këtë tekst e ka qarkulluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, para këtij përvjetori, në mënyrë që të reflektohet në dështimin e Kombeve të Bashkuara për parandalimin e gjenocidit.
Zëvendës-ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Petr Iliichev, u ka thënë gazetarëve se propozimi britanik është “përçarës” dhe i fokusuar shumë në keqbërjet e kryera nga serbët e Bosnjës.
“Ai fokusohet shumë vetëm në një aspekt”, tha Iliichev dhe ka shtuar se “ishte vetëm një pjesë e konfliktit”.
Këshilli i Sigurimit pritet që për këtë tekst-propozim do ta votojë më 7 korrik, vetëm disa ditë para se në Bosnjë të mbahen manifestime përkujtimore në Memorialin Srebrenica, për kapitullin më të errët të luftës në periudhën 1992-95.
Por, mbetet e paqartë nëse 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit do të pajtohen për tekstin përfundimtar, pasi Rusia ka propozuar të heqet teksti, ku përmendet Srebrenica dhe të fokusohet në Marrëveshjen Paqësore të Dejtonit, me të cilën ka përfunduar lufta, kanë thënë diplomatët.
Afro 8 mijë burra e djem myslimanë të Bosnjës janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila në atë kohë ishte enklavë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Kjo ishte mizoria më vdekjeprurëse në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore dhe është cilësuar si gjenocid nga dy gjykata ndërkombëtare.
Liderët e serbëve të Bosnjës i kanë bërë thirrje Rusisë, që ishte e afërt me Serbinë gjatë luftës, për të paraqitur veto në këtë rezolutë, duke e sulmuar veçanërisht përdorimin e fjalës “gjenocid” me të cilën përshkruhet masakra.
Në një letër dërguar sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, kryesuesi aktual i presidencës së Bosnjë Hercegovinës, Mlladen Ivaniq, tha se rezoluta është “antiserbe pasi dështon t’i përmend në çfarëdo mënyre viktimat serbe në rajonin e Srebrenicës”.
Sekretari për shtyp i misionit të Rusisë në Kombet e Bashkuara, Alexei Zaitsev, tha se rezoluta alternative e Moskës do të jetë “më e balancuar dhe e orientuar kah pajtimi i palëve, e jo të tërheqjes së linjave të reja” të armiqësive në rajon. Ai nuk ka komentuar më tepër lidhur me tekstin e Britanisë.
Ambasadori britanik, Matthew Rycroft, tha se rezoluta e vendit të tij “do t’i përkujtojë viktimat e gjenocidit të Srebrenicës dhe ata që vuajtën në të gjitha anët e luftës”.
Propozim-rezoluta britanike do t’i “inkurajojë hapat e mëtejmë drejt pajtueshmërisë” dhe do ta “riafirmojë përkushtim tonë për parandalimin e gjenocidit”, tha ambasadori Rycroft.
Nga lufta në Bosnjë Hervegovinë në periudhën 1992-95, janë vrarë afro 100 mijë njerëz dhe ky vend ka mbetur i ndarë në dy entitete gjysmë të pavarura, Federatën Myslimano-Kroate dhe Republikën Serbe.