Shumë të rinj të Kosovës, pavarësisht dëshirës së tyre që ta kalojnë një pjesë të pushimeve në bregdet, nuk kanë mundësi financiare. Shumica nga ta janë studentë të papunë dhe të varur financiarisht nga prindërit.
Në rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, shumica e të anketuarve tregojnë se këtë verë ose nuk do të shkojnë askund për pushime, ose do të shkojnë me prindër për shkak të pamundësive financiare.
Studenti i Fakultetit të Muzikës, i cili studion për kitarë, Premtim Dula, thotë se për pushime verore nuk do të mund të shkojë askund, pasi që është i papunë.
“Nuk kam mundësi, sepse nuk punoj. Jam i varur financiarisht. Nëse më ndihmojnë prindërit, do të shkoj. Ndryshe nuk kam mundësi, pasi që të gjithë e dimë që pushimet kushtojnë. Vitet e kaluara kam shkuar me shokë, por më kanë ndihmuar prindërit financiarisht”, thotë Premtimi.
Drilon Galica, student në Fakultetin e Muzikës shprehet ngjashëm:
“Edhe unë jam i njëjti ‘rast social’ si shoku im. Mua më ka ndodhur të punoj dhe të fitoj pak para duke bërë muzikë, nëpër periudha të ndryshme kohore. Por, jo në sezonin e verës. Dhe, ato të holla më janë dashur për diçka tjetër, ndoshta në atë kohë. Andaj, të shkoj diku në bregdet për sezonin e verës, nuk kam mundësi. Nëse ndonjëherë kam shkuar, më kanë financuar prindërit, pasi që nuk kam ndonjë punë stabile dhe të ardhura të rregullta”.
Edhe Albina Beka, që studion Psikologji klinike, thotë se nuk ka punë të qëndrueshme dhe nuk ka mundësi të shkojë për pushime.
“Nuk punoj, jam studente dhe nuk besoj që do të shkoj diku për pushime verore. Nëse do të kisha mundësi, patjetër që do t’ia bëja vetes një pushim dhe do të shkoja diku. Vitet e kaluara kam shkuar me prindër, por tre vjetët e fundit nuk kam pasur mundësi të shkoj më, as me prindër”, tregon Albina.
Your browser doesn’t support HTML5
Qëndresa Llapashtica, thotë asnjëherë nuk ka shkuar vetë ose me shoqëri në pushime. Kjo për shkak të pamundësisë financiare.
“Unë nuk mund të shkoj, pasi që nuk punoj. Por, me prindër do ta shqyrtojmë mundësinë dhe do të shkojmë në Ulqin”, shprehet Qëndresa.
E, të tjerët mbesin që ditët e nxehta t’i kalojnë nëpër pishina, meqë si studentë nuk u lejojnë mundësitë financiare të shkojnë më larg.
“Pushimet verore do t’i kaloj nëpër pishinat e Prishtinës. Jam studente dhe nuk kam mundësi të shkoj në bregdet këtë vit, meqë po këtë vit edhe i kam filluar studimet”, tregon Miranda Krasniqi.
Mentor Veseli, tregtar me profesion, këtë verë do të shkojë vetëm për 5 ditë në bregdetin shqiptar:
“Do të shkoj në Velipojë. Më ka pëlqyer shumë vjet, dhe do të shkoj edhe sivjet. Unë punoj dhe kam mundësi. Për 5 ditë do të shkoj”.
Ka edhe të tillë që ende nuk kanë vendosur se ku do t’i kalojnë pushimet, por që plane kanë. Njëra nga to është edhe Kaltrina, 25 vjeçe, gazetare me profesion.
“Ende nuk kam vendosur se ku do të shkoj, por mendoj se do të shkoj në Turqi. Unë punoj, edhe pse rrogat nuk po rriten, por do të kursej dhe do të rri 7 ditë. Mendoj se ia vlen të pushoj 7 ditë në vit, meqenëse punoj një vit”, shprehet Kaltrina.