Mbrojtja për të akuzuarit e Speciales nxit mospajtime

Ilustrim

Përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile shfaqin mospajtime dhe kërkojnë sqarime shtesë nga qeveria dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në lidhje me projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që do të akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte.

Dilemat janë ngritur sidomos nëse bëhet fjalë për mbulimin e shpenzimeve për pagesën e avokatëve përmes buxhetit të Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për personat që nuk mund të sigurojnë ndihmë juridike, këtë atyre ua siguron ligji, duke u ofruar ndihmën e nevojshme juridike falas.

Por nëse do të kërkohet që me mjetet e taksapaguesve të Kosovës të mbulohen shpenzimet për pagesat e nevojshme për avokatë ndërkombëtarë, kjo sipas tij, do të ishte e panevojshme.

"Do të kërkoj sqarime shtesë nga kryeministri i vendit dhe ministri i Drejtësisë që të shohim se cila është ideja që ka sjellë deri te ky ligj? Nëse bëhet fjalë për nevojën e ndihmës juridike falas, atëherë ajo garantohet. E në rast se kërkohet të ketë shpenzime të jashtëzakonshme për sigurimin e avokatëve ndërkombëtarë, atëherë kjo është një çështje që nuk mendoj se duhet të merret përsipër nga shteti i Kosovës", ka thënë Gashi.

Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile kanë ndërmarrë një nismë që e kundërshton shpenzimin e buxhetit të Kosovës për mbrojtjen e personave që mund të akuzohen nga dhomat e specializuara, apo siç njihet me termin Gjykata Speciale.

Imer Mushkolaj është një prej atyre që ka nënshkruar një peticion kundër këtij ligji. Ai thotë se proceset gjyqësore janë çështje individuale dhe nuk kanë të bëjnë me shtetin dhe shoqërinë.

Kështu që, sipas tij, nuk ka nevojë të ketë financim të shpenzimeve me anë të buxhetit.

"Konsideroj se financimi i tillë nga ana e shtetit është keqpërdorim i taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë, për shkak se kështu nuk ka ndodhur as në kohën kur në Hagë janë gjykuar, gjithashtu udhëheqës të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", ka thënë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Një çështje tjetër që nënvizon me këtë rast Imer Mushkolaj ka të bëjë me deklaratat e zyrtarëve të lartë të shtetit të Kosovës, të cilët thonë se me gjykimet individuale, nuk cenohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Në njërën anë thonë se me themelimin e Gjykatës Speciale dhe ngritjen eventuale të aktakuzave nuk do të gjykohet lufta e drejtë e UÇK-së, por vetëm individët; e në anën tjetër në formë institucionale duhet t'i mbrojnë po këta individë me logjikën se duke i mbrojtur apo duke iu ofruar para për mbrojtjen e tyre, po e mbrojnë luftën e drejtë të UÇK-së. Pra e shoh njëfarë lloj mospërputhje në deklaratat e tyre", ka deklaruar Mushkolaj.

Në Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që mund të akuzohen nga Gjykata Speciale, një kopje të të cilit e ka siguruar edhe Radio Evropa e Lirë, veç tjerash thuhet se mbështetja financiare u sigurohet të gjithë personave të akuzuar dhe familjeve të tyre.

Projektligji pretendon të mbulojë shpenzimet për secilin person që akuzohet, si për angazhimin e mbrojtjes apo avokatit të tij, e deri te shpenzimet e udhëtimeve jashtë Kosovës për të dhe familjen e tij.

Këtu përfshihet edhe mbulimi i shpenzimeve për procedurat gjyqësore e deri te kompensimi i atyre personave të cilët gjykata do t'i shpallë të pafajshëm.