Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se bisedimet e së martës midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, janë përqendruar në çështjet e pazgjidhura midis palëve, si: energjia, telekomi, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në veri të Kosovës dhe liria e lëvizjes.
“Përparim i mirë është bërë në të gjitha çështjet. Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë për këto katër çështje në orët e ardhshme dhe ne do të mblidhemi shumë shpejt, në ditët e ardhshme, për të finalizuar marrëveshjet”, ka thënë Mogherini përmes një deklarate për media.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se Memorandumi i Mirëkuptimit për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve të makinave është nënshkruar në margjina të takimit.
Kryeministri i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se bisedimet kanë qenë shumë të vështira dhe se nuk është arritur ndonjë marrëveshje finale.
“Kemi shënuar mjaft përparim, para së gjithash për çështjen më të vështirë që është Asociacioni i Komunave Serbe. Shpresoj se në ditët e ardhshme, së paku këtë marrëveshje mund ta finalizojmë, por po punojmë intensivisht dhe seriozisht për të gjitha temat e tjera”, ka thënë Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa, nuk është deklaruar për mediat as para, as pas takimit.
Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se marrëveshja për sigurimin e makinave shton edhe një marrëveshje në marrëdhëniet midis dy shteteve.
“Marrëveshja për sigurimin e automjeteve, apo, me fjalë të tjera, njohja e kartonit të sigurimit mes dy shteteve nënkupton që tarifat do të jenë të ulëta. Pra, shuma e njëjtë që përdoret për të udhëtuar në Maqedoni dhe kartoni i njëjtë që përdoret atje, do të përdoren për udhëtim edhe nëpër Serbi”, ka thënë Tahiri.
Bisedimet e së martës në Bruksel kanë zgjatur më shumë se tetë orë. Ka sugjerime në Bashkimin Evropian se rrethi i ardhshëm i bisedimeve në nivel kryeministrash do të zhvillohet të hënën.
Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja vendet që të avancojnë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.