Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë hyrë shumë barna, material shpenzues, aparatura dhe pajisje mjekësore, në formë donacionesh.
Kjo ka arritur vlerën e dy millionë eurove për vitin 2014, derisa në tre mujorin e parë të këtij viti në formë donacioni është ndihmuar ky institutcion me rreth 1.5 milionë euro.
Rina Limani, koordinatore për donacione në nivel të QKUK së, përmend disa nga projektet në formë donacioni që kanë hyrë në këtë institucion.
"Ka donatorë të interesuar. Për këtë vit donacioni më me rëndësi është ai i Emirateve të Bashkuara, për ndërtimin e spitalit pediatrik. Kemi donacione me barna në kontinuitet, kemi donacione për mbështetjen e fëmijëve me sëmundje malinje, e që dy vitet e fundit i mbulojnë terapinë me citostatikë. Ka edhe donacione në fusha të ndryshme e që ndihmojnë shumë", tha Limani.
Ndryshe, për ndërtimin e Spitalit Pediatrik, në formë donacioni do të dhurohen 22 milionë euro, derisa parashihet që ky spital të përfundojë në vitin 2017.
Në sistemin shëndetësor në nivel Kosove, vlera e donacioneve është me miliona euro. Së fundmi, projekti për Shëndetësinë në Kosovë, ka ndarë 25.5 milionë dollarë, e që është pjesë e marrëveshjes me Bankën Botërore, e cila, në janar të këtij viti ka nënshkruar marrëveshje edhe me Qeverinë e Kosovës.
"Sektori shëndetësor ka pasur mbështetje të mirë nga donatorët për adresimin e problemeve të ndryshme që kërkojnë zgjidhje me përkrahje financiare. Ministria e Shëndetësisë është ndihmuar me zhvillimin e programve të ndryshme nga qeveritë e shteteve të ndryshme.
"Kryesuesi i komunitetit të donatorëve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Luksemburgut, Austria, Japonia e shumë shtete tjera, që kanë ndihmuar qoftë përmes edukimit të vazhdueshëm apo edhe përkrahjes së drejtpërdrejtë në infrastrukturë, që segmente të ndryshme në shëndetësi të shënojnë përmirësime", tha drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.
Ndërkaq, zonja Limani tregon se me donacione janë duke u ndërtuar edhe spitale në Mitrovicë dhe Vushtri.
"Nëse përmendim donatorët në nivel Kosove, jo vetëm në QKUK, atëherë me këto mjete është duke u ndihmuar në ndërtimin dhe renovimin e spitalit të Vushtrisë, si dhe një tjetër donator ka ndihmuar në spitalin pediatrik në Mitrovicë".
"Megjithatë mund të them se interesimi për donacione është më i vogël, krahasuar me vitet paraprake. Derisa në të kaluarën donatorët janë ofruar vet për ndihmë, derisa tash ne kemi kërkuar nga donatorët ndihmë, varësisht për ku kemi nevojë".
Sidoqoftë, secili shtet që jep donacione në Kosovë, nga komuniteti i donatorëve mban llogari dhe mbikqyr projektet, në mënyrë që të dihet saktësisht se ku janë investuar mjetet e shteteve përkatëse.