Haradinaj nuk pranon të dalë para gjykatësit slloven

Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk pranon të dalë vullnetarisht para gjykatësit slloven.

Qëndrimin zyrtar të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka bërë të ditur vetë AAK-ja, përmes një komunikate për media.

“Pafajesinë e kam të dëshmuar ndërkombëtarisht. Nuk kam asgjë me sistemin e drejtësisë sllovene e as ndërkombëtare", ka thënë Haradinaj, duke kërkuar nga Sllovenia ta pastrojë "sa më parë sistemin nga reliktet shpifëse të Beogradit, që datojnë që nga viti 2004 dhe ende edhe sot i konsideron si valide".

"Kjo sjellje dhe veprim nga shteti slloven është e papranueshme dhe shumë ofenduese, si për mua, po ashtu edhe për Kosovën”, citohet të ketë thënë Haradinaj.

Ai është ndaluar sot nga autoritetet sllovene në aeroportin e Lubjanës, bazuar në një fletarrest të vitit 2004, të autoriteteve të Serbisë.