Bashkimi Evropian u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të mos zvarrisin tutje themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.
Zyrtarët në Bruksel, rikujtojnë se Kuvendi i Kosovës, qysh në prill të vitit të kaluar ka ratifikuar marrëveshjen e arritur përmes letërkëmbimit të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton për themelimin e kësaj gjykate.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është zotuar me anë të këtij letërkëmbimi se do të themelojë dhomat e specializuara për rastet e dyshuara për krime lufte.
Ndërkohë që Bashkimi Evropian, sipas saj, u ka ofruar autoriteteve të Kosovës gjithë ndihmën e nevojshme për miratimin e amandamenteve kushtetuese dhe legjislacionit përkatës.
"Është në kompetencë të Kuvendit të Kosovës që të caktojë seancën plenare për themelimin e dhomave të specializuara në mënyrë që të mos ketë vonesa tjera në këtë çështje", ka thënë Kocijançiq.
Edhe Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka dhënë një përgjigje për Radion Evropa e Lirë në lidhje me Projektligjin për Gjykatën Speciale.
"Bashkimi Evropian i ka bërë të gjitha sqarimet e nevojshme në lidhje me projekt-ligjin te pala e Kosovës. Ne mendojmë se tani çdo gjë është e gatshme për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ligjit”, ka thënë zëdhënësi Stojan Pelko.
“Është në interesin e Kosovës që t’i miratojë të dyja, amendamentet kushtetuese dhe ligjin, në mënyrë që të përmbushë zotimin e saj për themelimin e dhomave të specializuara. Vonesat e mëtejshme do të jetë e vështirë të justifikohen”, thuhet në qëndrimet e Zyrës së BE-së.
Për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, apo dhomave të specializuara, është i nevojshëm edhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese të cilat kërkojnë votat e dy të tretave të deputetëve.
Ndërkaq më pas, kërkohet të miratohet edhe Ligji për këtë gjykatë, i cili është negociuar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës.
Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, si partia më e madhe në Kuvend, kanë thënë se janë edhe tri çështje në këtë projektligj që duhet sqaruar.
Bëhet fjalë për afatin kohor të gjykatës dhe veprave, pastaj për vërtetësinë e dëshmive të dëshmitarëve dhe për kthimin e arkivit të gjykatës në Kosovë.
Por, analistët politik si edhe opozita, e cila në fakt e kundërshton këtë gjykatë, kanë potencuar në disa raste se koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme, kështu që edhe po e zvarritë procedimin e ndryshimeve kushtetuese.
Sidomos, potencohet fakti se disa deputetë të PDK-së janë kundër kësaj gjykate dhe kjo e pamundëson themelimin e saj.
Me një konstatim të tillë, nuk pajtohet shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili thotë se kjo parti politike kërkon vetëm sqarimin e disa detajeve të rëndësishme dhe nuk është kundër themelimit të gjykatës.
"Duhet ta qartësojmë se askush prej nesh nuk është kundër drejtësisë. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën se jemi bashkëpunues shumë të mirë për të vërtetuar dhe qartësuar këto gjëra. Insistojmë që të kemi proces fer, të drejtë dhe të pandikuar nga askush. Por, vërtetë një proces që do t'i kontribuonte heqjes së kësaj mjegulle që është ngritur mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës apo për luftën e Kosovës", ka thënë Grabovci.
Gjykata Speciale për krime lufte, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 - 2000.
Selia e saj do të jetë jashtë Kosovës dhe do të ketë në përbërje gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtar të cilët do të trajtojnë rastet në raportin e Task Forcës ndërkombëtare që kishte hetuar këto pretendime.