Mosuli shndërrohet në burg, një vit pas pushtimit nga IS-i

Ilustrim

Një vit pasi militantët e Shtetit Islamik (IS) kanë marrë kontrollin e Mosulit, jeta në qytetin irakian “është si në burg”.

Ahmadi, i cili jeton në Bagdad, thotë se flet çdo javë me dy vëllezërit dhe dy motrat e tij që jetojnë në Mosul.

“Ata thonë se gjendja e tyre është e mirë, porse nuk ka punë. Është sigurt, vëllezërit e mi dalin, qëndrojnë jashtë natën vonë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ahmad, emri i të cilit është ndryshuar për shkaqe të sigurisë.

Ahmad, megjithatë, thotë se banorët atje “ndjehen të mbyllur si në burg”.

Nëse duan të lënë qytetin, ata duhet t’i nënshtrohen një procesi të gjatë burokratik të marrjes së lejes.

Ata që lejohen të dalin, duhet të kthehen. Shteti Islamik ka zhvilluar një sistem që siguron se banorët që udhëtojnë jashtë Mosulit, kthehen në shtëpi.

Kushdo që lë Mosulin është i detyruar të lë kolateral material, si shtëpi ose makinë, e cila do të konfiskohet nëse personi nuk kthehet.

Banorët e Mosulit po ashtu duhet të caktojnë dikë brenda qytetit, i cili do të garantojë kthimin e tyre.

“Nëse njëri nga vëllezërit e mi do të udhëtojë, vëllai tjetër duhet të jetë garantues i tij”, shpjegon Ahmad.

Ahmad nuk ka mundur të vizitojë familjen e tij në Mosul. Nëse shkon atje, ai nuk do të mund të kthehet në Bagdad.

Ndërsa burrat lejohen të dalin, kjo gjë nuk vlen edhe për gratë e qytetit.

Gratë nuk lejohen të qesin këmbën jashtë pa një “mahram”, ose një shoqërues mashkull. Ato duhet të veshin një veshje që i mbulon nga koka deri te këmbët, thotë Nadia, nëna e së cilës, bashkë me vëllezërit dhe motrat, jetojnë në Mosul.

Por, sipas një rregulloreje të re që do të hyjë në fuqi gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, i cili nis më 17 qershor, gratë nuk do të lejohen fare të dalin nga shtëpia para iftarit.

“Një burrë që sheh një grua rrezikon të prishë agjërimin”, thotë Nadia, duke shpjeguar masën e rreptë gjatë Ramazanit. Emri i saj po ashtu është ndryshuar për shkaqe të sigurisë.

Nadia, e cila është zhvendosur në Bagdad pasi është martuar, thotë se nuk ka mundur të vizitojë familjen e saj në Mosul prejse qyteti ka rënë nën kontrollin e Shtetit Islamik, një vit më parë.

Shteti Islamik po ashtu e ka bërë të vështirë për banorët që të përdorin telefonat celularë, për të kontaktuar njerëzit që jetojnë jashtë qytetit.

Militantët kanë rrëzuar kullat e telefonisë mobile dhe disa banorë shkojnë në zonat jashtë kufijve të qytetit, ku linjat celulare vazhdojnë të jenë në dispozicion.

Por, ata që bëjnë përpjekje të komunikojnë me botën e jashtme në këtë mënyrë, rrezikojnë.

“Nëse kapen nga Shteti Islamik, ata do të akuzohen për komplot kundër IS-it”, thotë Nadia për Radion Iraku i Lirë.

Kur Shteti Islamik ka marrë kontrollin e Mosulit, njerëzit i kanë mbajtur fëmijët brenda, nga frika se mund të plagosen ose vriten.

Njerëzit ende frikësohen për fëmijët, por tani jo nga shpërthimet.

“Tash ka frikë nga të folurit”, thotë Nadia.

Djali pesëvjeçar i një të afërmi të saj ka qenë në dyqan me babain e tij kur ka shqiptuar fjalën “Daesh” – akronimi arabisht për Shtetin Islamik, i cili konsiderohet si fyerje nga militantët.

Fjala ka zemëruar militantin në dyqan, i cili ka rrahur keq fëmijën.

Nga frika se militanti mund ta plagosë fëmijën, babai i tij ka vazhduar ta rrahë dhe i ka kërkuar falje militantit.

Babai i fëmijës është frikësuar se militantët mund t’ia marrin fëmijën ose t’ia presin gishtin apo dorën, tregon Nadia.

Ndërsa gratë në Mosul duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe nuk mund të punojnë, punë nuk ka as për burrat.

“Vëllai im thotë se nuk ka punë as si shofer taksie. Mësimdhënësit në universitete, ish-ushtarakët, inxhinierët, të gjithë janë pa punë”, thotë Ahmad.

Ai thotë se ka ndihmuar vëllain e tij duke i dërguar para përmes kontakteve në Irbil. Por, pranon se kjo mënyrë është vështirësuar shumë.

Pavarësisht mungesës së punës, Shteti Islamik ka bërë që shërbimet publike në qytet të funksionojnë mirë, thonë irakianët që kanë familjarë në Mosul.

Vëllai i Ahmadit i ka thënë atij se ndriçimi i rrugëve “është edhe më i mirë se përpara, rrugët janë të pastërta, siguria është e mirë dhe furnizimi me energji elektrike është i shkëlqyshëm”.

Shteti Islamik ka siguruar edhe produktet ushqimore.

Nadia, megjithatë, thotë se gjërat nuk janë siç kanë qenë para rënies së qytetit nën kontrollin e militantëve.

Më herët, mallrat kanë shkuar në Mosul nga Turqia dhe Bagdadi, por këto rrugë furnizimi nuk janë më në dispozicion.

Shteti Islamik i sjell tani prodhimet nga territoret që kontrollon vetë në Siri.

Të armatosurit në Mosul, ndërkaq, janë kryesisht të huaj.

“Të gjithë ata janë rusë, sirianë, pakistanezë, afganë, francezë e të tjerë. Janë këtu me gratë. Madje, edhe fëmijët e tyre janë të armatosur”, thotë Nadia. (v.tela)