Maqedoni: Stabilitet i paqëndrueshëm politik dhe ekonomik

Shkup

Kriza politike dhe paralajmërimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare do të godasin rëndë ekonominë e Maqedonisë, thonë njohësit e çështjeve ekonomike duke paralajmëruar humbje të thella nga ana e kompanive për shkak të mosrealizimit të projekteve të parapara.

Sipas tyre, disa masa për mbrojtjen e bizneseve të propozuara nga Odat Ekonomike janë të mira, por vështirë se do të mund të realizohen pa një vullnet të fuqishëm politik nga ana e qeverisë.

Ato kërkojnë zgjidhjen e shpejtë të krizës politike, përmirësimin e klimës së biznesit, stimulimin e eksportit, ndërprerjen e shpenzimit të parave shtetërore për projekte joproduktive, investime në infrastrukturë, e masa tjera.

Arben Halili, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se viti 2015 pa dyshim se do të jetë viti më i rëndë për ekonomikë e vendit pasi kompanitë, sipas tij, tashmë kanë humbur fuqinë për t'i mbijetuar ambientit në të cilën është futur Maqedonia.

“Sigurisht që kompanitë nuk janë të prirura për të realizuar investime, të cilat jo vetëm që do të hapnin vende të reja të punës, por njëkohësisht do të kishin nevojë për gjenerim të fuqisë punëtore në aspekt të ngritjes së kapaciteteve prodhuese dhe sigurisht edhe për ekspansion për të depërtuar në tregjet e jashtme".

"Në situatën e tanishme biznesi më tepër do të jetë i interesuar që të ruajë pozitat aktuale të cilat i ka në tregjet ku vepron dhe të shoh alternativat apo format e ndryshme se si të mos pësojë humbje të shumta, pasi është e qartë se bizneset po ballafaqohen me humbje të shumta si pasojë e krizës në të cilën ndodhemi“, thotë Halili.

Marija Petkovska, ligjëruese e ekonomisë në Universitetin e Shkupit, thotë se institucionet duhet të ndërmarrin masa serioze pavarësisht krizës në të cilën ndodhet vendi.

Sipas saj, masat e propozuara në pamje të parë duken të parealizueshme, por janë shumë të rëndësishme për stabilitetin ekonomik.

“Sikur edhe të miratohen këto masa, ka dilema se a do të realizohen në një kohë të këtillë të krizës politike dhe të pasigurisë ekonomike. Ka dilema se a do të jenë efikase. Konsideroj se megjithatë duhet të nisemi nga një pikë. Harxhimeve joproduktive duhet t'u vijë fundi, pasi buxheti thuajse është bosh apo kemi rritje të madhe të deficitit buxhetor“, thotë Petkovska.

Analisti ekonomik, Branimir Jovanoviq thotë se masat janë të mira, por vështirë se do të realizohen pasi kriza politike nuk ka shenja të zgjidhjes

“Disa nga masat e Odës Ekonomisë të Maqedonisë Veriperëndimore janë të mira si ndërtimi i autostradës me Kosovën, pasi në kushte të krizës duhet të investohet në infrastrukturë; ajo është në gjendje të rëndë dhe kjo ndihmon bizneset. Por, çështja është se sa ka vullnet qeveria për të realizuar projekte të tilla, gjë që unë dyshoj“, thotë Jovanoviq.

Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike thotë se pasiguria politike dhe ekonomike do të reflektohen në standardin e qytetarëve pasi humbjet nga ana e kompanive do të çojnë në mbylljen apo do të pamundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, ndërsa qytetarët do të kenë kujdes në ruajtjen e buxhetit të tyre familjar për nevojat elementare.

“Sigurisht se stabiliteti i paqëndrueshëm politik dhe ekonomik do të reflektohet në më pak vende pune, që do të thotë se nuk do te ketë punësime dhe kjo sigurisht se do të nënkuptojë edhe një jetë të qytetarëve me standard më të ulët se ajo normalja që duhet ta kishin në përditshmëri“, thekson Halili.