Maqedonia, çështje të hapura me të gjithë fqinjët

Ilustrim

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se kriza politike në Maqedoni, e cila siç theksojnë, po zgjat me vite, ka thelluar edhe më shumë problemet që ka Maqedonia me fqinjët e saj.

Megjithatë, ata nuk pajtohen rreth asaj se kriza në Maqedoni vjen nga brenda apo jashtë saj.

Ish-diplomati Risto Nikovski konsideron se problemet e Maqedonisë me fqinjët kanë karakter shekullor, por siç shprehet ai, për momentin këto probleme arrijnë amplituda më të theksuara si rrjedhojë e zhvillimeve të brendshme në vend.

“E gjithë kjo që është duke ndodhur në Maqedoni, afera Puçi, përgjimet, të gjitha këto janë vepra të shërbimeve të huaja të ndihmuara nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët veprojnë në vend. Në një situatë kur janë të dukshme pretendimet e grupeve të caktuara, të cilat veprojnë në fqinjësi të Maqedonisë, është e kuptueshme se Maqedonia, si shtet, ndodhet në një situatë të ndjeshme edhe në raportet e saj zyrtare me fqinjët”, vlerëson Nikovski.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet Ylber Sela, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Sipas Selës, pikërisht politikat e gabuara të Qeverisë Gruevski që nga 2006-a, janë ato që në vazhdimësi acarojnë raportet e Maqedonisë si shtet me fqinjët e saj.

“Pra, është politika e brendshme e Maqedonisë ajo e cila reflektohet edhe në raportet me fqinjët e saj. Maqedoninë tashmë disa vite e tangojnë disa çështje të brendshme, siç është çështja e emrit, regjistrimi i popullatës, projekti ‘Shkupi 2014’, kohë pas kohe edhe skenarët e ndryshëm në aspektin e tensionimit të raporteve ndëretnike, së fundmi dhe rasti i Kumanovës, të gjitha këto është e kuptueshme që ndikojnë në përkeqësimin e raporteve ndërfqinjësore që paraqet shtyllën kryesore të bashkëpunimit rajonal dhe atij evropian”, nënvizon Sela.

Nga ana tjetër, ish-diplomati maqedonas Denko Malevski konsideron se Maqedonia si shtet i ri në Ballkan është e kuptueshme që të ketë çështje të hapura me fqinjët e saj, të cilat probleme, rrënjët kryesisht i kanë në aspektin historik.

Por, siç shprehet ai, në funksion të procesit të integrimeve, elitat udhëheqëse duhet me delikatesë të shmangin historinë dhe të përcaktohen për realizimin e interesave që kanë të bëjnë me të ardhmen e Maqedonisë si shtet.

“Ashtu si të gjitha vendet tjera të rajonit, ne, si shtet, për t`i realizuar qëllimet tona strategjike, që të bëhemi pjesë e strukturave euroatlantike, patjetër duhet të ballafaqohemi me faktin se është e domosdoshme t`i zgjidhim çështjet e hapura me fqinjët tanë".

"Këtu nuk ka asnjë filozofi të paqartë, pra duhet të shohim se çka është ajo që nxit shqetësim te fqinjët tonë dhe njëkohësisht në mënyrë delikate t`u shmangemi çështjeve historike duke u orientuar kah e ardhmja, pa e dëmtuar trungun e Maqedonisë si shtet”, vlerëson Malevski.

Ndryshe, Maqedonia në rrugëtimin e saj euroatlantik duhet të zgjidhë kontestin që ka me fqinjin e saj jugor, Greqinë, për çështjen e emrit, përderisa me Bullgarinë ka ngritur si problem çështjen e gjuhës, me Serbinë nga shkëputja e Maqedonisë nga ish-Federata Jugosllave mbetet çështja e kishës, së fundmi edhe Tirana zyrtare ka theksuar se Maqedonia mund të përballet me veto gjatë anëtarësimit në NATO nëse nuk realizon Marrëveshjen e Ohrit.