Afati për konsensusin rreth Gjykatës Speciale, deri më 29 maj

Ilustrim©Shutterstock

Kuvendi i Kosovës pritet që të nxjerrë në shqyrtim për miratim amandamentet kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, më 29 maj.

Njëherësh, pritet që të njëjtën ditë të miratohet edhe ligji për këtë gjykatë i cili është negociuar midis Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të premten.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sërish ka ftuar partitë politike për arritjen e një konsensusi të gjerë rreth këtij vendimi.

Ai ka thënë se pretendimet mbi bazën e të cilave Këshilli i Evropës miratoi raportin e senatorit zviceran, Dick Martit mbi supozimet e tij për trafik organesh të serbëve nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po bëhen pengesë për Kosovën.

Kështu që sipas tij, me këtë gjykatë do të zbardhet e vërteta e këtyre supozimeve.

"Pretendimet e Dick Martyt të votuara edhe në Këshillin e Evropës dhe të nxjerra në konkludimet e prokurorit Williamson janë duke u shndërruar pengesë, për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë. Ne nuk guxojmë si institucione dhe si politikanë të lejojmë që e ardhmja e vendit dhe këtyre qytetarëve të mbetet peng. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë pjesë e historisë sonë", ka theksuar Veseli.

Megjithatë, themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte po kundërshtohet nga opozita. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca e ka cilësuar të padrejtë themelimin e kësaj gjykate.

"Ne e konsiderojmë shumë të dëmshme këtë që ka ndodhur dhe që po procedohen këto amandamente kushtetuese për disa arsye. E para, po krijohet një gjykatë në Kosovë e cila për kah definicioni përjashton trajtimin e krimeve të shtetit të Serbisë që kanë ndodhur në Kosovë", është shprehur Konjufca.

Kundër themelimit të kësaj gjykate janë pozicionuar edhe dy subjektet tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.

Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, koalicioni qeverisës i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës bashkë me pakicat, do të duhet të sigurojnë dy të tretat e votave të deputetëve dhe mbështetjen prej dy të tretave të votave të komuniteteve pakicë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ndonëse i ka cilësuar të padrejta akuzat në raportin e Dick Martyt, ka vlerësuar po ashtu se themelimi i kësaj gjykate duhet të ndodhë.

“Është një padrejtësi shumë e madhe. Por a mjaftojnë vetëm fjalët tona - jo nuk mjaftojnë. Ne duhet ta kemi gatishmërinë tonë që të shkojmë aty ku po kërkohet dhe ta dëshmojmë pafajësinë tonë dhe ta dëshmojmë se lufta e jona çlirimtare ka qenë e drejtë, e pastër që i ka respektuar të gjitha konventat”, ka thënë Grabovci.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri vetëm ka rikonfirmuar se kjo parti politike do ta mbështesë themelimin e gjykatës speciale, pasi që dështimi eventual nga institucionet e Kosovës, sipas tij, do ta barte çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“I kemi dy mundësi - ta vazhdojmë atë rrugë që e kemi hapur në prill të vitit të kaluar me votimin e amandamenteve kushtetuese dhe të votojmë edhe tani, apo edhe alternativa, që fatkeqësisht është shumë më e rëndë, që kjo çështje të shkon në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë Beqiri.

Selia e Gjykatës Speciale për Krime Lufte pritet të jetë jashtë Kosovës. Në përbërjen e saj do të ketë prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo do të hetojë dyshimet e supozuara në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty për trafik organesh të disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat u hetuan më pas nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare.