Lavrov: Protestat në Maqedoni të orkestruara nga jashtë

Sergei Lavrov

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë sot se kriza në Maqedoni është orkestruar nga jashtë.

“Kjo vërtetë na alarmon neve”, tha Lavrov dhe ka shtuar se “zhvillimet në Maqedoni janë qartas të kontrolluara nga jashtë”.

Mëtutje, në fjalimin e tij në Këshillin e Federatës, që është Dhoma e Epërme e Parlamentit të Rusisë, zoti Lavrov ka theksuar se zhvillimet janë të lidhura me refuzimin e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, që tu bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Në Shkup të Maqedonisë, afro 150 mbështetës të opozitës, që ende qëndrojnë në një kamp të ngritur afër kryeministrisë, kërkojnë që Gruevski të paraqes dorëheqje, derisa Gruevski dhe lideri i opozitës Zoran Zaev, kanë zhvilluar negociata në Strasburg në përpjekje për zbutjen e krizës.

Dhjetëra mijëra demonstrues kanë marrë pjesë në protestën kundër qeverisë më 17 maj në Shkup, ndërsa një ditë më vonë është mbajtur, po ashtu, një tubim masiv në mbështetje të Gruevskit.

Protestat kundër qeverisë u bënë pas zbulimit të incizimeve telefonike, në të cilat duket se dëgjohen ministrat e Maqedonisë duke përgatitur mashtrim në zgjedhje.