Protesta e opozitës maqedonase të dielën, para Qeverisë së Maqedonisë, ku morën pjesë pjesëtarë të bashkësve të ndryshme etnike, ka hapur një faqe të re në raportet mes dy komuniteteve më të mëdha në vend.
Kështu vlerësojnë njohësit e ndëretnicitetit duke komentuar pjesëmarrjen masive të maqedonasve dhe shqiptarëve në protestën kundër siç thanë, “regjimit kriminal të Nikolla Gruevskit“.
Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndërentike, thotë se tubimi i djeshëm "tregoi pjekurinë e lartë që ekziston mes qytetarëve, pa dallim përkatësie entike, se kur bëhet fjalë për interesat e tyre jetësore, demokracinë dhe sundimin e ligjit, ata janë të gatshëm të bashkohen, apo të bëjnë atë që politikanët me vite jo që nuk kanë mundur të bëjnë, por gjithmon raportet ndërentike i kanë shfrytëzuar për interesat e tyre partiake".
“Vlerësoj se pjesës më të madhe të qytetarëve të Maqedonisë i ka ardhur mbi kokë nga një qeverisje e këtillë diktatoriale. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për kalkulime politike mes shqiptarëve dhe maqedonasve të cilët të dielën u bashkuan në tubimin më të madh mes tyre të mbajtur ndonjëherë në Maqedoni, por për mbrojtjen e të drejtave të tyre që po shkilen sistematikisht nga pushteti aktual".
"Mendoj se si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët kanë treguar pjekuri të paparë, atë që nuk munden ta bëjnë për partitë për shkak të interesave të tyre personale dhe partiake, e bënë qytetarët të cilët u bënë bashkë për t'i thënë stop regjimit aktual“, thotë Dimovski.
Ramadan Ramadani, nga Instituti “Nisma“ dhe njohës i çështjeve politike, thotë se shqiptarët dhe maqedonasit kanë protestuar edhe më parë, në veçanti gjatë disa nismave të fundit, por protesta e djeshme, sipas tij, ka qenë masive që dëshmoi se armik i përbashkët i qytetarëvë si atyre maqedonas ashtu edhe shqiptarëve dhe të tjerëve është pushteti aktual.
“Pjesëmarrja e madhe e shqiptarëve e cila ishte individuale në protestën e së dielës konsideroj se flet për dy momente. Së pari se armiku i përbashkët i shtetit, është koalicioni aktual qeverisës dhe ai është i përbashkët për të gjithë qytetarët, si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët dhe të tjerët".
"Momenti i dytë dëshmon atë se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar dhe këtë e dëshmoi protesta e së dielës", thotë Ramadani.
Protesta e djeshme kaloi qetë dhe pa incidente ndërsa kërkesa e liderit të opozitës, Zoran Zaev kishte të bënte me dorëheqjen e qeverisë dhe formimin e një qeverie kalimtare e cila do të kishte mandat organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Por, kërkesa e tillë hidhet poshtë nga kryeministrin Gruevski.
Kjo, është edhe motoja kryesore e mitingut të sontëm për mbështetjen e qeverisjes së tij.
Për dallim nga mitingu i opozitës, kundër-protesta e partisë së Gruevskit është një entike me disa përjashtime të vogla të drejtuesve të disa partive të vogla të disa bashkësive etnike joshqiptare që i mbetet bensike politikave të kryeministrit.
Njohësit e çështjeve politike, thonë se protesta e djeshme e opozitës dhe e sotmja e partisë së kryemistrit Gruevski, VMRO DPMNE, bëhen për të matur forcat para qytetarëve.
Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Hartimin e Politikave, nuk pret që të ketë tensione, ashtu siç nuk pati edhe në protestën e opozitës.
“Nuk do të ketë tensione pasi protesta e dytë mbahet në vend tjetër. Dje gjithçka kaloi qetë dhe nuk shoh ndonjë arsye që sot të jetë ndryshe. Protestat si e njërës ashtu edhe e partisë tjetër kanë një qëllim mbështejtjen e qytetarëve për politikat e tyre, pra matet pulsi i qytetarëve se cili opsion politik ka mbështetje më të fuqishme“, thotë Bozhinovski.
Opozita pas protestës së djeshme ka nisur me formën e re të shprehjes së pakënaqësisë. Para qeverisë janë vendosur tenda ku qindra simpatizantë vazhdojnë protestën, e cila, siç thonë, do të vazhdojë deri në dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski.