EULEX ngrit flamurin Ylber për Ditën ndërkombëtare kundër homofobisë

Ilustrim

Misioni evropian për sundim të ligjit ka njoftuar se nesër në objektin kryesor të saj, ish Farmed do e ngris flamurin Ylber për të shënuar kështu Ditën ndërkombëtare kundër homofobisë.

"Në këtë ditë ne e kremtojmë diversitetin dhe e shprehim përkrahje për angazhimet e personave Lezbikë, Homoseksualë, Biseksualë dhe Transgjinorë në mbarë botën për t’i gëzuar liritë e tyre pa paragjykim apo frikë ", citohet shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci në një komunikatë të këtij misioni.

Komunikata më tej shton se “të drejtat për LGBT janë pjesë e kritereve politike të Kopenhagës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Secili vend që aspiron t’i bashkohet BE-së duhet t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve të tij. Duke qenë pjesë e vlerave thelbësore të BE-së për tolerancën, kundër diskriminimit dhe barazinë, të drejtat e LGBT janë pjesë e kornizës ligjore të BE-së për parandalimin e diskriminimit”.

Për këtë arsye thuhet më tej në njoftimin e misionit evropian, “EULEX-i do ta ngrejë flamurin Ylber më 17 maj për t’i demonstruar vlerat thelbësore të trajtimit të barabartë, tolerancës dhe respektimit të diversitetit, dhe sundimit të ligjit për secilin, në veçanti për pakicat si dhe atyre personave që janë të rrezikuar nga diskriminimi apo trajtimi i pabarabartë në bazë të orientimit seksual të tyre”.