Lavrov: Thirrjet për “Shqipërinë e Madhe”, thirrje për gjakderdhje

Sergei Lavrov në Beograd

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se incidentet e fundit në Maqedoni dhe situata në Kosovë nuk japin kurrfarë optimizmi. Shqetësuese, sipas tij, janë edhe dëshirat e udhëheqjes shqiptare për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Lavrov i ka bërë këto komente në Beograd, pas takimit me homologun serb, Ivica Daçiq.

“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, që përmes pranisë së tij në Ballkan, t’iu kushtojë vëmendje të veçantë këtyre tendencave shqetësuese, e veçanërisht shprehjes së qartë të terrorizmit”, ka thënë Lavrov.

Fundjavën e kaluar, në Kumanovë të Maqedonisë, forcat policore kanë zhvilluar një aksion kundër, siç kanë thënë, “grupeve të armatosura terroriste”.

Disa shtetas të Kosovës besohet se kanë marrë pjesë në luftimet që kanë rezultuar me disa të vrarë, në mesin e tyre tetë policë dhe 12 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Disa media në Serbi, këtë aksion e kanë interpretuar si “luftë për Shqipërinë e Madhe”.

Lavrov ka thënë se thirrjet për “Shqipërinë e Madhe” janë thirrje për gjakderdhje të re në Ballkan.

Sipas tij, asnjë politikan i arsyeshëm nuk mund të qëndrojë gjakftohtë ndaj këtyre thirrjeve. Lavrov ka këmbëngulur se ngjarjet në Kumanovë kanë qenë “aksione terroriste, të përgatitura mirë”.

Nisur nga kjo, ai ka thënë se Moska është e shqetësuar me atë që po ndodhë në Kosovë dhe në disa pjesë të Bosnjë e Hercegovinës, ku, sipas tij, grupi ekstremist i Shtetit Islamik bën përpjekje të nxisë të rinjtë në aktivitete terroriste.

“Bashkimi Evropian nuk duhet të marrë qëndrim qyqar dhe ta cilësojë këtë situatë si eposidë individuale. Jam i bindur se në Bruksel e dinë mirë se çfarë po ndodhë, por hezitojnë ta thonë”, ka thënë Lavrov.

Shefi i diplomacisë ruse ka lavdëruar edhe marrëdhëniet që vendi i tij ka me shtetin serb.

Edhe Lavrov, edhe Daçiq kanë vlerësuar pozitivisht raportet tregtare dhe ekonomisë midis Rusisë dhe Serbisë, duke thënë se ka ende vend për përmirësim.

Lavrov ka falënderuar po ashtu popullin serb, në veçanti presidentin Tomisllav Nikolliq, i cili ka marrtë pjesë në festimet në Moskë më 9 maj, me rastin e 70-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Liderët perëndimorë kanë qëndruar larg kësaj ngjarjeje, në shenjë proteste për ndërhyrjen e Rusisë në konfliktin në Ukrainë.