Komisioni për legjislacion procedon me amendamentin për Gjykatën Speciale

Ilustrim©Shutterstock

Komisioni për Legjislacion pritet që të mërkurën të nxjerr në procedim amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, sipas propozimit të qeverisë së Kosovës, i cili ka marrë dritën jeshile edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Komisioni duhet të procedojë me shqyrtimin e këtij amendamenti.

Por, ajo ka thënë tutje se do t’i njoftojë anëtarët e Komisionit edhe me dëmet, që sipas saj, i sjell Kosovës themelimi i Gjykatës Speciale.

“Ne konsiderojmë që Gjykata Speciale e njëllosë luftën e drejtët ë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithashtu është në shkëputje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës sepse themelon një sistem paralel nga Gjykata Themelore deri te ajo Supreme, madje edhen jë organ të veçantë të Gjykatës Kushtetuese dhe organ të veçantët ë Avokatit të Popullit”, ka thënë Haxhiu.

Nisur nga qëndrimi i saj si kryetare e Komisionit, por edhe si deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka theksuar se do t’u kërkojë edhe anëtarëve tjerë të Komisionit për Legjislacion që të mos e përkrahin amendamentin e propozuar nga Qeveria për themelimin e Gjykatës Speciale e cila do të kishte si objekt shqyrtimi dhe trajtimi rastet e dyshuara të krimeve të luftës së ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtaret ë Kosovës gjatë vitit 1999 dhe fillimi i vitit 2000.

“Roli i Komisionit për Legjislacion është që t’i rekomandoj seancës për votim ose jo. Unë shpresoj që deputetët, anëtarë të komisionit do të reflektojnë dhe do ta kundërshtojnë fuqishëm amendamentin në fjalë”, ka theksuar Haxhiu.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, anëtar i Komisionit për Legjislacion ka thënë për Radion Evropa e Lirë se çështja e amendamenteve është vetëm një procedurë e përcjelljes së tyre për në seancë plenare.

“Çështja e amendamenteve që kanë ardhur në Komision është procedurë e përcjelljes për në seancë plenare dhe nuk është në anën tonë që të shqyrtojmë apo qoftë edhe të ndërhyjmë në ato amendamente”, ka deklaruar Zemaj.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë po ashtu se anëtarët e komisionit mund të japin mendimet e tyre politike në lidhje me amendamentet kushtetuese dhe asgjë më tepër.

“Nuk ka ndonjë procedurë sipas të cilës mund të deklarohen për apo kundër, por prapë se prapë deputetët mund të japim mendimin e vet në Komision, i cili është mendim politik. Por, nga ana e kushtetutshmërisë, ky është vetëm procedim përmes Komisionit për Legjislacion”, ka thënë Zemaj.

Gjykata Speciale u lansua si ide pas raportit të senatorit zviceran Dick Marty të prezantuar në Këshillin e Evropës mbi supozimet e tij për trafikim të organeve të disa civilëve serbë nga disa ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbi bazën e këtyre pretendimeve, prokurori amerikan Clint Williamson kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Tani i mbetet Kuvendit të Kosovës që me shumicën e dyfishtë prej dy të tratave të deputetëve, përfshi edhe ata të komuniteteve pakicë të miratojë ndryshimet kushtetuese për themelimin e kësaj Gjykate.

E në rast të dështimit, përfaqësues ndërkombëtar i kanë paralajmëruar tashmë autoritetet në Prishtinë se këtë çështje do ta merrte përsipër Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.