Investimet e huaja direkte në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, kanë shënuar rënie të mëdha. Derisa në vitin 2007 vlera e investimeve të huaja ishte rreth 450 milionë euro, në vitin 2014 kjo shifër është jo më shumë se rreth 150 milionë euro.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Besnik Kada, në një përgjigje dërguar nëpërmjet postës elektronike, tregon për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2014, bilanci i investimeve direkte në Kosovë, ka qenë 46 për qind më i ulët se në vitin 2013.
Ndërkaq, sa i përket të dhënave për këtë vit, Kada bën të ditur, se vlera e investimeve për muajin shkurt ka qenë 25.8 milionë euro.
Rënia e investimeve të huaja në Kosovë ka ngritur shqetësime të mëdha tek ekspertët e çështjeve ekonomike.
Ata thonë se investimet e huaja janë të domosdoshme për ringjalljen ekonomike të Kosovë dhe fakti se këto po shënojnë rënie, sipas ekspertëve, kanë humbur shpresat për një zhvillim ekonomik më të madh.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e quan mjaft shqetësues faktin e rënies së investimeve të huaja.
“Investimet e huaja, pra tërheqja e kapitalit të jashtëm, është kusht i domosdoshëm për ringjallje të ekonomisë së Kosovës. Kjo tërheqje e kapitalit, varet nga mënyra si e qeverisim ne vendin tonë. Nëse kemi qeverisje të mirë, sundim të ligjit, nuk ka korrupsion, krim të organizuar, ka siguri për investitorët e jashtëm, atëherë këto pasuri që i kemi janë interesant për investitorët potencialë”, shton Shatri.
Nga hulumtimet e shumta të bëra nga shoqatat ekonomike, është vlerësuar se barrierat në të bërit biznes, siç është niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, si dhe evazioni fiskal, kanë ndikuar që shumë investitorë të mos shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë dhe vlera e këtyre investimeve të bie.
Faji për të gjitha këto barriera në të bërit biznes, sipas Shatrit, bie mbi Qeverinë e Kosovës.
“Në mënyrën si e kemi qeverisur vendin që nga vitit 2008 e këndej, jo që nuk i kemi tërhequr investitorët e jashtëm, por ne i kemi dekurajuar ata. Nuk kemi krijuar infrastrukturë ekonomike, nuk kemi furnizim stabil me energji elektrike, ka nivel të lartë të korrupsionit, dhe shumë dukuri tjera negative si pasiguria e pronës dhe dukuritë tjera negative”, shton ai.
Kosova ka një strategji për promovimin e investimeve të huaja, në të cilën janë caktuar edhe sektorë ku investitorët e huaj mund të investojnë.
Bujqësia, energjia, përpunimi i metaleve, riciklimi i mbeturinave si dhe teknologjia informative, janë ata sektorë që janë caktuar në këtë strategji.