Modernizimi ushtarak ka qenë prioritet i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për më shumë se një dekadë. Shpenzimet ushtarake janë rritur çdo vit prejse Putini ka ardhur në pushtet në vitin 1999.
Në vitin 2015, sipas Komitetit të Mbrojtjes të Dumës Shtetërore, këto shpenzime do të arrijnë në 81 miliardë dollarë, ose 4.2 për qind e bruto prodhimit të brendshëm të Rusisë.
Sipas zëvendësministres ruse të Mbrojtjes, Tatyana Shevtsova, më shumë se gjysma e këtyre shpenzimeve shkojnë për programin shtetëror të armatimit. Qeveria ka thënë se vëllimi i porosive të mbrojtjes do të rritet për 40 për qind në vitin 2017, krahasuar me vitin e kaluar.
Frytet e këtyre shpenzimeve tashmë kanë nisur të shihen. Tanku luftarak i armatës dhe disa automjete të tjera, me të njëjtën shasi, do të marrin pjesë në Paradën e Ditës së Fitores në Moskë, më 9 maj.
Tanku luftarak i armatës T-14 pritet të hyjë në shërbim në vitin 2016 dhe ushtria shpreson të ketë 2,300 sish deri në vitin 2020.
Po sipas ushtarakëve rusë, T-14 është një përparim i rëndësishëm drejt tankut të telekomanduar.
Sistem tjetër ushtarak që pritet të hyjë në shërbim deri në vitin 2020 është aeroplani luftarak Sukhoi T-50. Ai është zhvilluar bashkërisht nga Rusia dhe India. Ka një gamë superzanore prej 1,500 kilometrash dhe lartësinë maksimale të shërbimit prej 20,000 metrash.
Rusia i ka kushtuar burime të konsiderueshme edhe rinovimit të forcave të saj strategjike bërthamore, përfshirë armët e lëshuara nga toka, deti dhe ajri.
Kulmi i këtij rinovimi pritet të jetë Sarmati. Raketa Sarmat mund të bartë 10 koka të rënda bërthamore ose 15 më të lehta, secila me shënjestër të pavarur. Sarmati do të ketë rreze veprimi prej 10,000 kilometrash.
Rusia në vitin 2002 është tërhequr nga marrëveshja START II për kufizim të armatimit, pasi Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga Traktati i Raketave Anti-balistike i vitit 1972.
Por, në fund të vitit 2014, Moska ka njoftuar se është duke zhvilluar një sistem të ri hekurudhor, të quajtur Barguzin, i cili mund të shpërndajë gjashtë raketa balistike interkontinentale RS-24. Secila nga këto raketa ka së paku katër koka bërthamore, me shënjestra të pavarura.
Moska planifikon të lansojë pesë trena Barguzin në fillim të vitit 2019.
Qysh në vitin 1997, Rusia është po ashtu duke punuar në nëndetësen Lada, e cila mund të sulmojë anije dhe nëndetëse të tjera.