Themelimi i Gjykatës Speciale nga java e ardhshme në Kuvend

Ilustrim

Kuvendi i Kosovës pritet që nga java e ardhshme të procedojë tutje me amandamentet kushtetuese në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Me vetë faktin që kërkohen ndryshime kushtetuese, Kuvendit do t'i duhen dy të tretat e votave të 120 deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë për miratimin e këtyre amandamenteve.

Gjykata Speciale u lansua si ide pas raportit të senatorit zviceran Dick Marty të prezantuar në Këshillin e Evropës mbi supozimet e tij për trafikim të organeve të disa civilëve serbë nga disa ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbi bazën e këtyre pretendimeve, prokurori amerikan Clint Williamson kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Në përmbyllje të hetimit të tij, një vëmendje të posaçme Williamson ia kishte kushtuar, asaj që ai e kishte quajtur klimë të frikësimit të dëshmitarëve, duke thënë se “ka pasur përpjekje për ta penguar gjithë procesin hetimor" që prej fillimit të punës së grupit hetues, përmes ndërhyrjes te dëshmitarët.

Arianit Koci, avokat nga Prishtina thotë se krijimi i task forcës hetuese speciale ka zgjatur tre vjet dhe sipas vet prokurorit të saj, Williamson, të gjeturat janë 'top sekret' (të fshehtësisë së lartë).

Kështu që në këtë fazë, ai nuk sheh shumë mundësi që ketë ndikimi mbi dëshmitarët.

"Nëse nuk dihet saktësisht se kush është i pandehur dhe kush janë dëshmitarët, atëherë si mund të ndikohet në ta? - Frikësimi apo ndikimi në dëshmitarët është një problem serioz dhe shqetësues për të gjithë. Dëshmitarëve të mbrojtur duhet patjetër t'ju krijohet klima e sigurisë në mënyrë që të sqarohen njëherë e përgjithmonë të gjitha pretendimet, të cilat dorën në zemër janë monstruoze", ka deklaruar Koci.

Bazuar në përvojat e shteteve të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, avokati Arianit Koci thotë se fenomeni i mbrojtjes së dëshmitarëve është paraqitur në rastet e trajtuara në Serbia, Kroacia e madje edhe në Hagë.

Ndërkaq një element tjetër që ai potencon gjatë themelimit të kësaj Gjykate, është përbërja e saj. Koci beson se në përbërjen e kësaj Gjykatë do të duhej të kishte edhe gjyqtarë nga Kosova, në mënyrë që ajo të fitojë legjitimitetin e vet.

"Gjyqtarët kosovarë e njohin kontekstin shoqëror dhe i njohin rrethanat. Shumë kosovarë kanë krijuar bindjen se një pjesë e konsiderueshme e pretendimeve në raportin e Këshillit të Evropës janë sajuar prej shërbimeve sekrete në Serbi, prandaj pala kosovare duhet të jetë palë aktive në këtë gjykatë. Kjo çështje mund të zgjidhet në mënyrë shumë elegante - në këtë gjykatë gjyqtarët nga Kosova mund të jenë pakicë në çdo trup gjykues", ka theksuar Koci.

Gjykata Kushtetuese tashmë u ka dhënë dritën jeshile miratimit të amandamenteve kushtetuese të propozuara nga qeveria me të cilat do të mundësohej themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli beson se këto amandamente do të trajtohen nga Kuvendi javën tjetër. Sipas tij, në këtë proces është me rëndësi të ketë konsensus vendor e ndërkombëtar.

"Ajo çka është më kryesore është që të ruhet konsensusi nacional rreth kësaj çështje dhe në të njëjtën kohë të ruhet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare. Amandamentet janë në Komisionin për Legjislacion dhe në momentin që do të marrim dritën jeshile nga ata (Komisioni) ne do të veprojmë", ka deklaruar Veseli.

Arritja e konsensusit të brendshëm politik për themelimin e Gjykatës Speciale nga analistët politik shihet si domosdoshmëri.

Në të kundërtën, ata tërheqin vërejtjen se këtë Gjykatë do ta themelonte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me çka, besojnë se do të sfidoheshin rëndë shteti dhe shtetësia e Kosovës, pasi që Këshilli i Sigurimit do të vepronte vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244.

Analisti Artan Muhaxhiri mendon se alternativa e vetme para institucioneve të Kosovës, në këtë rast, është themelimi i kësaj Gjykate.

"Institucionet e Kosovës nuk kanë shumë alternativa dhe dihet se do të jenë të obliguara ta pranojnë edhe Gjykatën Speciale, mirëpo edhe projektet tjera që imponohen nga Bashkimi Evropian dhe faktori ndërkombëtar", thotë Muhaxhiri.

Themelimi i Gjykatës Speciale po bëhet në vazhdën e thirrjeve të faktorit ndërkombëtar i cili kërkon që Kosova të zbatojë këtë obligim që ka marrë përsipër.

Marrëveshja ishte arritur përmes një letërkëmbimi ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton në prill të vitit 2014, ku përveç vazhdimit të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit - EULEX, ishte aprovuar edhe themelimi i Gjykatës Speciale.

Ky letërkëmbim ishte ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare më pas edhe nga përbërja e kaluar e Kuvendit të Kosovës.