Shqyrtimi i peticionit të rreth 35 mijë qytetarëve kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike nga ana e Kuvendit të Kosovës, pritet të kthejë opozitën në seancat e rregullta plenare.
Ndërkohë që, kërkesat tjera të opozitarëve mbeten ende në fuqi.
Kombinimi i aktiviteteve politike brenda institucioneve dhe protestave në rrugë, janë potencuar nga deputetët opozitarë si një domosdoshmëri për të rritur presionin mbi qeverinë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda ka thënë për Radion Evropa e Lirë se braktisja e seancës së fundit kur nuk ishte vënë në rend dite peticioni kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike, ishte refleksion i opozitës për shkak se po injoroheshin kërkesat e 35 mijë qytetarëve.
Por, ai thotë se Vetëvendosje do të vazhdojë me punën në institucione, duke mos e lënë anash as protestën si një mjet demokratik.
"Ne marrim pjesë edhe në punimet e Kuvendit të Kosovës, por edhe në kohën kur ka arrogancë nga ana e pushtetit, kur nuk dëgjohen kërkesat legjitime qoftë të opozitës apo të qytetarëve të Kosovës ne e përdorim protestën si mjet demokratik për avancim të kërkesave të qytetarëve", ka deklaruar Deda.
Shqyrtimi i peticionit për çmimin e energjisë elektrike, nuk përmbushë edhe kërkesat e opozitës në lidhje me gjendjen në këtë fushë.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e AAK-së dhe opozitës i referohen Zyrës së Rregullatorit të Energjisë me synimin që të ulet çmimi, por edhe të shkarkohet bordi i kësaj Zyre.
"Konsiderojmë që tarifat e energjisë janë jashtëzakonisht të larta kur dihet që Kosova posedon skajshëm mjaftueshëm burime të energjisë elektrike. Do të thotë kërkesa jonë është që të shkarkohet bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe të ulen çmimet. Të gjitha format ligjore që lejohen një shteti normal do të përdoren derisa kjo të ndodhë", ka theksuar Haradinaj.
Në protestën e fundit, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma, kanë adresuar kërkesa edhe në lidhje me transmetuesin publik, pastaj kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, kanë kundërshtuar krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe e kërkesa tjera.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj thotë se kërkesat mbeten në fuqi dhe do të përdoren të gjitha mjetet demokratike e ligjore për t'i përmbushur.
"Në rast se mbetet rruga opsioni i vetëm, atëherë jemi të detyruar që në rrugë, në forma të protestave paqësore, t'u japim mesazh institucioneve të Kosovës se nuk mund të vazhdohet më tutje kështu", ka deklaruar Haradinaj.
Formimi i koalicionit qeverisës nga dy partitë më të mëdha politike në Kosovë, të mbështetura edhe nga shumica e deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë, vlerësohet se i ka lënë fare pak hapësirë opozitës që të ketë një zë më të fuqishëm në Kuvend.
Kështu që kjo gjendje besohet se e ka shtyrë atë në kombinimin e aktiviteteve në institucione dhe në rrugë.
Kuvendi i Kosovës pritet që të vazhdojë seancat e rregullta nga e 6 maji, kur pritet të shihet nëse shumica në Kuvend do t'i përfillë kërkesat e opozitës, fillimisht në lidhje me çmimin e energjisë elektrike dhe bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike.