Thaçi: Serbia po i kthehet kohës së Millosheviqit

Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi

Ministri i jashtëm kosovar, Hashim Thaçi është i zemëruar pse nuk u lejua të vizitojë Beogradin sipas gazetës vjeneze, Der Standard.

Intervistën e plotë me Zotin Thaçi, mund ta lexoni këtu

Ftesa e një OJQ-je serbe për pjesëmarrje në një konferencë për integrime evropiane në fund të prillit ishte dashur të tërhiqet pas presioneve nga ministri i brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq.

“Beogradi po i kthehet kohës së Slobodan Millosheviqit, derisa nuk e lejoi vizitën time”, citohettë ketë thënë Thaçi për gazetën austriake.

"Kur një vend kandidat për anëtarësim në BE në atë mënyrë e ndalon një vizitë të një fqinji, lind pyetja, si mundemi ne në Ballkan të shohim para dhe të normalizojmë raportet”, ka thënë më tej Thaçi.

Zëvendëskryeministri i parë kosovar, Thaçi ka përmendur mundësinë që shumë kosovarë ta padisin Serbinë për dëme lufte.

“Ne kemi disa mundësi që të bëjmë padi për gjenocid kundër regjimit serb të viteve të 90-ta”, ka thënë Thaçi dhe ka shtuar se momentalisht “janë 100 shqiptarë të Kosovës në Amerikë dhe Evropë që duan ta padisin Serbinë për dëme lufte”.

Sipas kryediplomatit kosovar, regjimi i atëhershëm serb është përgjegjës për shkatërrimin e 65 % të pronës private të kosovarëve.

Ai ka thënë se është e mundshme që të bëhet një padi edhe në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, ndërsa ka shtuar se do të ishte mirë që Serbia të përdorte modelin jugafrikan për kërkim falje ndaj Kosovës.

“Unë mendoj që do të ishte mirë, nëse Serbia do e përdorte modelin e Afrikës së Jugut dhe që të kërkojë falje ndaj viktimave të luftës. Mirëpo ne jemi dëshmitarë që Serbia ende nuk pranon të kërkojë falje, prandaj ne duhet të shfrytëzojmë rrugët e drejtësisë që ta dokumentojmë historinë”, ka thënë Thaçi për Der Standard.