Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), çdo ditë lindin rreth 40 foshnje.
Mynavere Hoxha, shefe e njësisë së kujdesit intensiv neonatal, ka theksuar se çdo vit në njësinë e kujdesit intensiv trajtohen rreth 3 mijë fëmijë, derisa 1,100 fëmijë lindin para kohe, e që kanë nevojë për kujdes.
Por, zyrtarë shëndetësorë bëjnë të ditur se vdekja perinatale ka shënuar rënie të dukshme krahasuar me vitet e pasluftës në Kosovë. Ndonëse nuk ka statistika të sakta, kjo del sipas një analize të bërë nga profesionistët shëndetësorë.
"Në bazë të analizave që i kemi bërë, është vërejtur ulje e vdekshmërisë së foshnjave të posalindura në QKUK, e që ka ndikuar edhe në uljen e vdekshmërisë perinatale në përgjithësi në nivel të Kosovës. Kjo pasi QKUK është qendër terciare dhe kategoria e fëmijëve janë me rrezik të lartë".
Dallimin mes vdekjes perinatale dhe asaj neonatale e shpjegon Mynavere Hoxha, neonatologe.
"Vdekja perinatale është periudhë përreth lindjes dhe mblidhen numrat e foshnjave që lindin të vdekura dhe foshnjat që vdesin në javën e parë të jetës. Vdekshmëria neonatale është vdekshmëria e foshnjave prej 0 deri në 28 ditë. Pra, ulja e vdekshmërisë perinatale ka ndikuar në uljen e vdekshmërisë neonatale", ka shtuar zonja Hoxha.
Zyrtarë nga Organziata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë (OBSH), thonë se në uljen e vdekshmërisë perinatale kanë ndikuar shumë faktorë.
Sami Uka, zyrtar për shëndetin e nënës dhe fëmijës në OBSH, thekson se ngritja e cilësisë së shërbimeve ka ndikuar në uljen e vdekshmërisë.
"Përveç ngritjes së vetëdijes së popullatës dhe kërkimit me kohë të kujdesit, që kanë ndikuar në uljen e vdekshmërisë së foshnjave, gjithashtu edhe përgatitja më e mirë e stafit dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore faktorët që kanë ndikuar në këtë proces".
Por, zoti Uka shton se ka ende punë për t'u bërë sa i përket uljes së vdekshmërisë së foshnjave.
"Konsiderojmë që ende mund të bëhet. Përmirësimi në vazhdim do të jetë më i vogël, pasi që tash janë faktorët tjerë që ndërlidhen me vdekjen periantale, si kushtet e dobëta ekonomike, ushqyeshmëria e dobët e nënave, derisa nuk është vetëm cilësia e kujdesit shëndetësor".
Sidoqoftë, tashmë është miratuar edhe raporti për vitin 2014 dhe Plani i veprimit të Programit të Përbashkët të Agjencioneve, Partneriteti për Përmirësimin e Gruas dhe Fëmijës në Kosovë, për vitin 2015, kanë bërë të ditur zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë.